Spitali modern i fëmijëve në Durrës

Spitalit Pediatrik i Durrësit, tashmë në funksion 100% me kushte moderne dhe aparatura të fundit për çdo fëmijë që do të ketë nevojë për kujdes shëndetësor, por edhe për stafin mjekësor. I ndërtuar në vitet ’60 – ’70-të e pas dekadash i lënë në harresë apo i rikonstruktuar pjesërisht, Pediatria pati një rikonstruksion të plotë, duke u kthyer në një qendër rajonale model të shëndetësisë në Shqipëri. Tashmë, spitali funksionon edhe me elementë që më parë nuk ekzistonin. Kryeministri Rama e vlerësoi këtë ndryshim “si nata me ditën”. “Është ndryshim i madh me si ishte. Ajo që ishte, ishte një tmerr i madh”, – tha Kryeministri.

Spitalit të fëmijëve, përveç rikonstruksionit total, i janë shtuar edhe kapacitetet, teksa çdo detaj është kuruar për t’ju përshtatur më të vegjëlve. Sipas ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu,  “ky është një spital, i cili jo vetëm ka përmirësuar kushtet e shërbimit, por është një ndër spitalet më të mira pediatrike që kemi. Ndërkohë që jemi duke investuar dhe në spitalet e tjera, Spitalin Pediatrik të QSUT, Spitalin Pediatrik të Elbasanit, që do të ofrojë shërbime për fëmijët por, nga edhe kushte shumë të mira pune për mjekët, infermierët, me hapësira të dedikuara dhe për prindërit”.

Teksa Kryeministri Rama, bashkë me ministren e Shëndetësisë vizituan çdo pavion të këtij spitali, mjekët shprehën vlerësimin për punën e bërë dhe kushtet moderne në të cilat tashmë kanë mundësinë të punojnë. “Në pikëpamje funksionale është gjëja më e bukur dhe më e arritur. E dyta, janë të gjitha pajisjet më moderne të kohës dhe e treta, në të gjitha pikëpamjet, jo vetëm nga bukuria por ana funksionale, pajisjet, aparaturat, personeli, e bëjnë këtë spital të kompletuar dhe shumë bashkëkohor. Ne kemi mbi 40 vjet që punojmë si mjekë dhe tani është një mrekulli që shohim këtë godinë në këtë stad zhvillimi”, – u shpreh një nga mjekët më të vjetër të spitalit.

Një risi e këtij spitali është godina e Urgjencës së fëmijëve, e cila edhe ajo është rikonstruktuar. Sipas mjekëve dhe infermierëve që punojnë aty, kjo godinë dhe rikonstruksioni në total i spitalit të fëmijëve u jep mundësinë që për herë të parë të ndjekin hap pas hapi çdo protokoll zyrtar shëndetësor. “Është hera e parë që do ndiqet linja sipas protokolleve mjekësore, që pacientët vijnë në triazh, marrin numrin, diagnostikohen, monitorohen dhe në varësi të gjendjes ose shkojnë në shtëpi të shëruar, ose do ngjiten lart në katin e dytë. Kjo është idealja”, – u shpreh një tjetër mjek.

Investimet në shëndetësi do të vijojnë jo vetëm me këtë spital, por dhe me spitale të tjera në gjithë vendin, ndërsa vitin tjetër buxheti për shëndetësinë do të jetë më i madhi që sektori shëndetësor ka marrë ndonjëherë. “Vitin që vjen do përfundojmë maternitetin e Lezhës, maternitetin e Beratit. Do fillojmë investimet në Pediatrinë e Elbasanit. Do përfundojmë pjesën e parë të projektit të Pediatrisë së QSUT-së, Spitalin e Sëmundjeve të Brendshme”, – u shpreh ministrja Manastirliu, duke nënvizuar se do të jenë shumë projekte të finalizuara në shëndetësi.​