Sistem online për leje-daljen nga shtëpia për kryerjen e shërbimeve

Në vijim të masave në përgjigje të pandemisē të Covid-19, nga dita e hënë, qytetarët duhet të pajisen me leje digjitale për daljen nga shtëpia përmes portalit e-albania.  Blerja e ushqimeve apo kryerja e shërbimeve të tjera do të bëhet vetëm nga një pjesëtar i familjes. Kryeministri Edi Rama prezantoi sot aplikacionin online që do të mundësojë marrjen e lejes digjitale me e-mail ose telefon në emër të familjes.

“Leja është automatike në rast se bëhet përmes e-albania nëse keni një smartphone apo kompjuter. Në rast se nuk i keni këto, leja do të kërkohet me SMS dhe nuk është automatike, por do të merret pas 24 orësh. Tirana dhe në qendrat urbane do të jetë e vetmja mënyrë për të lëvizur pa marrë gjobë dhe pa humbur edhe makinën në rast se e disponojnë një makinë, se i tillë është dhe ligji. Kush ecën në këmbë jashtë orarit dhe pa leje brenda orarit gjobitet dhe i konfiskohet makina,” – u shpreh Kryeministri gjatë një komunikimi online me drejtoren e AKSH-it, Mirlinda Karcanaj, e cila shpjegoi edhe procedurën e marrjes së lejes. Sipas Znj. Karcanaj, është një procedurë e thjeshtë në pak minuta.

Kryeministri theksoi se pensionistët nuk do të pajisen me leje. “Pensionistët nuk do të mund të aplikojnë në këtë sistem, sepse përgjigja do të jetë negative. Pensionistët duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe për ata pensionistë që janë të vetmuar dhe nuk i kanë fëmijët në të njëjtën qendër banimi urbane apo njësi administrative do të kujdesimi ne, siç po kujdesemi pa pushim. Do të kujdesimi me ekipet tona në territor, të cilët do t’u bëjnë pazaret, do t’u çojnë ilaçet dhe do të bëjnë për ta, atë që kanë nevojë. Pensionistët nuk do të dalin më në rrugë,” – nënvizoi Kryeministri.

Përsa i përket anëtarit të familjes që vazhdon punën, ai do të lëvizë me autorizimin që aktualisht disponon.

Kryeministri Rama informoi se i ka kërkuar kryetarit të Bashkisë Tiranë që deri nesër të mundësojë ndarjen e të gjitha tezgave në tregjet e lagjeve, në mënyrë që të mos jenë të gjithë të grumbulluar në një pikë. Ky ndryshim, theksoi Kryeministri, nga nesër do të fillojë të jetë i ndjeshëm në tregjet e lagjeve nga dita e hënë, të gjitha tregjet do të jenë të tilla. E njëjta masë u është kërkuar të merret të gjithë kryetarëve të bashkive në territor.