Parku fotovoltaik i Karavastasë, investimi më i madh në Ballkan për energjinë diellore

Sot u finalizua ankandi ndërkombëtar për parkun fotovoltaik të Karavastasë (i hapur në 20 janar), me shpalljen e kompanisë fituese dhe çeljen e rrugës për një investim të konsiderueshëm për ekonominë dhe të ardhmen e sektorit energjetik në vend. Investimi në energjinë diellore do të ketë një ndikim direkt në rritjen e sigurisë energjetike dhe diversifikimin e burimeve të energjisë. Parku fotovoltaik i Karavastasë do të jetë më i madhi në Ballkan për energjinë diellore, një investim i huaj direkt mbi 100 milionë euro nga kompania franceze VOLTALIA, e shpallur fituese e ankandit ndërkombëtar, një proces i konsultuar dhe asistuar nga BERZH-i.

“Ne kemi nisur një proces dhe sot kemi hedhur një hap të rëndësishëm që është procesi i diversifikimit, për krijimin e burimeve alternative të prodhimit të energjisë e në këtë rast flasim për energjinë solare. Parku i Karavastasë do të jetë parku energjetik më i madh me energji solare në Ballkan, i cili do të prodhojë 140 megavat energji”, – u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

I pranishëm në procesin e finalizimit të ankandit, Kryeministri Rama u shpreh:

Mbase çmimi komplet i papritur justifikon edhe gjithë atë mbyllje hermetike të ofertës dhe më vjen shumë mirë që pas një periudhe jo të shkurtër ne arritëm të finalizojmë këtë proces, duke pasur parasysh edhe një periudhë që na hyri në mes, që, si pasojë e epidemisë, solli shumë pezullime dhe shumë shtyrje të proceseve dhe të vetë garave që ishin shpallur. Më vjen po ashtu shumë mirë që ne sot jemi në gjendje të shohim konkretisht finalizimin e një përpjekjeje të madhe, nga njëra anë për të hapur një faqe të re në historinë e sistemit tonë energjetik, duke përfshirë në mënyrë shumë domethënëse një volum të rëndësishëm, i pari i kësaj natyre, të energjisë diellore në sistem dhe nga ana tjetër, një investim të huaj mbi 100 milion euro, që nuk është thjesht i rëndësishëm në vlerë, por edhe në faktin se do të bëhet nga një kompani me prestigj të madh ndërkombëtar dhe nga ana tjetër, nga hyrja në ekonominë shqiptare e një aktori të rëndësishëm ekonomik që vjen nga Franca. Të gjitha këto bashkë e bëjnë këtë ditë një ditë shumë pozitive për ne, për Shqipërinë, për qeverinë dhe natyrisht edhe për ecurinë e progresit në sistemin tonë energjetik.

E dimë shumë mirë që jetojmë në një kohë kur gjithmonë e më shumë kërkohet diversifikimi i burimeve të energjisë. Jetojmë në një botë që konsumon çdo sekondë 1100 fuçi nafte, 93 kub gaz natyror dhe 220 ton qymyr. E dimë shumë mirë, po ashtu, që të gjitha këto janë burime sidoqoftë të shterueshme, ndërkohë që, tanimë, edhe këtë e kemi mësuar, se është botërisht e njohur, që, një nivel i tillë konsumi me burimet ekzistuese, që për sekondë nuk duket kolosal, deri në vitin 2050 pritet të trefishojë nevojën për energji në botën ku ne jetojmë dhe natyrisht, duke qenë në një vend të bekuar nga kjo anë me 95% të energjisë të rinovueshme, si pothuajse asnjë vend tjetër në Europë, falë rezervave të mëdha hidrike, ne jemi plotësisht të vetëdijshëm që komponenti tjetër i munguar, pra dielli, në prodhimin e energjisë është një potencial i jashtëzakonshëm për ne dhe për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm është urgjente sot që Shqipëria të diversifikojë dhe të investojë pikërisht në energjinë që prodhon dielli e cila është në gjendje të mbulojë 100-fishin e nevojave që ka sot globi.

Ne kemi sot 300 ditë diell në shumicë të territorit dhe mesatarja e orëve me diell në Shqipëri është 2400 orë në vit, ndërkohë që pikërisht në Ultësirën Perëndimore ku do ndërtohet ky impiant përfshirë dhe lagunën e Karavastasë, pra zonën e Myzeqesë, kjo shkon në 2700 orë. Është një vend ideal dhe çdo hektarë tokë aty mund të gjenerojë çerek milionë euro në vit duke u shfrytëzuar për prodhim energjie.

Ky park në përmasë është sot më i madhi në rajon, por, nga ana tjetër, unë dua të shtoj se për ne nuk është fundi, por është fillimi i një procesi ku presim rritjen e këtyre kapaciteteve dhe është një ogur fantastik që e fillojmë me një aktor që pa asnjë hije dyshimi gëzon një prestigj dhe një aftësi botërisht të njohur, duke i dhënë kështu kësaj pjese të sistemit një besueshmëri të lartë.

30 kompani të mëdha u paraqitën duke kërkuar dokumentet dhe kjo është një tjetër shenjë që sa shumë potencial dhe sa shumë aftësi tërheqëse kemi në këtë sektor, ashtu sikundër, më vjen shumë mirë të them që, edhe pse patëm vështirësi, si gjithmonë vështirësitë që dalin në procese të cilat nuk mund të planifikohen dhe nuk mund të zbatohen 100% ashtu siç parashikohen, pasi zhvilluam një tentativë të parë e cila nuk u finalizua deri në fund, e megjithatë them se ia ka vlejtur gjithë ky proces, edhe falë faktit që ministrja me shumë sukses arriti të përfshijë Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim si shoqëruese të procesit, duke sjellë ekspertizën, por edhe syrin e saj vëzhgues mbi të gjitha kriteret e garës, mbi të gjitha hapat me transparencë dhe me një integritet të plotë të procesit në sytë e të gjithë aktorëve ndërkombëtarë.

Besoj se është një shembull i mirë dhe është një provë e vullnetit tonë për të rritur standardet, për të rritur transparencën, për të rritur cilësinë e ofertave fakti që në këtë rast askush nuk mund të ankohet për asnjë element dhe askush nuk mund të pretendojë se procesi ka pasur hije.

Natyrisht që vulën pastaj e vë ky rezultat. Jam i bindur që është një befasi për të gjithë, sepse në rastin më të mirë pritshmëria jonë ishte shumë larg këtij rezultati. Është një çmim fantastik, jashtë çdo parashikimi, që, në këndvështrimin tim, duhet lexuar si një angazhim afatgjatë i kompanisë, si një identifikim i mirëmenduar i potencialit për tu zgjeruar më shumë në këtë hapësirë që ka kaq shumë elementë në favor të energjisë diellore dhe natyrisht edhe si një provë e padiskutueshme e këmbënguljes dhe e vendosmërisë tonë për të mos lejuar lëshimin e dorës në procese të tilla. Natyrisht që nuk mbaron këtu. Ne me shumë gëzim, besoj, së bashku me zv/kryeministrin që është dhe deputeti i zonës, që dhe për shumë kohë ka qenë këmbëngulës, e dini shumë mirë se çfarë forme persistente ka këmbëngulja e tij për të ndërtuar këtë park në atë zonë, bashkë me kryetarin e Bashkisë që ka dhënë gjithë mbështetjen e nevojshme në këtë proces duke ndihmuar për të gjithë elementët e nevojshëm të mbledhjes së të dhënave të të gjithë procedurave në grupin e punës, bashkë me ministren, patjetër, uroj dhe shpresoj jo vetëm bashkë me investitorin, por edhe bashkë me përfaqësues të lartë të shtetit francez të mund të jemi në kantier pas verës, në vjeshtë, nuk po vë muaj të përcaktuar, sepse kjo eksperiencë na ka mësuar që gjithmonë ka diçka që mund të dalë nga parashikimi për arsye objektive.

Nga ana tjetër, ne më shpejt do të dalim në një proces tjetër që është një proces i menduar dhe i vonuar me më shumë dekada sesa vetë kjo periudhë e 30 viteve, projektimi dhe ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës.

Skavica ka qenë një objektiv historik i të gjitha qeverive shqiptare dhe të atyre të para viteve ’90. Është një objekt strategjikisht absolutisht i domosdoshëm, i vështirë, i komplikuar dhe për këtë arsye gjithmonë qeveritë e kanë pasur në plan, por asnjëherë nuk e kanë shtyrë procesin deri në fund, ne jemi përpjekur në këto vite të gjejmë aktorët e duhur që të mund të investoheshin për këtë projekt, por tanimë kemi vendosur që, siç thoshin njëherë e një kohë, ta ndërtojmë me forcat tona dhe do ta ndërtojmë Skavicën me 100% shtetin. Do të jetë një vepër e vështirë, por do jetë patjetër një vepër që do transformojë rrënjësisht sistemin, duke garantuar optimizimin e gjithë kaskadës, sepse dihet që Skavica është një element i munguar i projektit origjinal të kaskadës së Drinit dhe do jetë edhe fundi i derdhjes së ujit kur ka me tepri dhe i përmbytjeve që pastaj pasojnë si rezultat i derdhjes, pra i derdhjes së parave në formë uji në atë moment, duke shkaktuar dëme dhe duke i kushtuar pastaj buxhetit të shtetit gjithmonë shtrenjtë për të rikompensuar dhe për të ndihmuar njerëzit që të ringrihen.

Përtej Skavicës janë dhe disa projekte të tjera, natyrisht jo të atyre përmasave që janë në proces, ndërkohë që urojmë dhe shpresojmë që shumë shpejt të kemi dhe një finalizim të fazës përgatitore për një kompleks energjie me erë, për të cilin po punohet intensivisht por ende nuk jemi në pikën që të mund të jemi të bindur se procesi do të shkojë deri në fund dhe Ministria së bashku me konsulentët është duke vlerësuar një mundësi shumë tërheqëse dhe faktikisht një mundësi reale për një investim të madh të huaj në energjinë me erë.

Besoj që është një ditë e bukur dhe e shënuar për ne. Nuk e di sa do të mund të bëjë lajm, është një lajm i mirë. Lajmet e mira zakonisht ose nuk bëjnë lajm, ose dalin diku nga fundi i gjithë listës së lajmeve të ditës, por, përtej lajmit, ajo që ka vlerë është që shumë shpejt ky investim do fillojë të materializohet dhe kantieri në Karavasta aty ku janë prej shumë motesh tokat e papunueshme, tokat e kripura, do të jetë një realitet.

Shumë faleminderit të gjithë atyre që e bënë të mundur këtë moment! Shumë faleminderit Erjonit që ka qenë një promotor i paepur i këtij projekti! Shumë faleminderit ministres dhe skuadrës së saj! Shumë faleminderit BERZH-it që na ka ndihmuar pa masë që procesi të jetë absolutisht në përputhje me të gjitha standardet e pranuara ndërkombëtarisht dhe shumë faleminderit investitorëve francezë për besimin që treguan te Shqipëria, që, shpresoj tu ketë dhënë prova, por dhe arsyen që kur të shkojnë në pallatet e pushtetit në Paris të tregojnë që Shqipëria në fakt nuk është ajo që shpesh duket, sidomos para zgjedhjeve në Francë!