Një vit sfidues dhe një sukses i gjithëpranuar i Shqipërisë në krye të OSBE

Fjala e Kryetarit të Radhës së OSBE-së, Kryeministrit Edi Rama në seancën përmbyllëse të misionit të kryesimit të OSBE: 

 

Kolegë,
më takon mua ta përmbyll Këshillin e 27-të Ministror të OSBE-së.

Ishte dy vjet më parë kur, në Milano, Shqipëria u zgjodh për Kryesinë e vitit 2020 – asokohe, më kujtohet, që askush nuk ishte i prirur ta bënte këtë.
Tashmë, të shumtë janë ata që janë vënë në radhë për të të qenë kryetarë.

Le të jemi të ndershëm, kur e nisëm në janar, pritshmëritë që kishit për ne nuk ishin aq të larta, për të thënë më të paktën. Ne e dinim këtë, sepse kjo është një Organizatë e vështirë për t’u menaxhuar. Nuk është lojë!
Dhe Shqipëria, duke qenë e re në këtë nivel përgjegjësie ndërkombëtare, me gjithë stigmën që, fatkeqësisht, e shoqëron edhe vetëm duke i thënë emrin në sytë e disave, nuk ishte ajo që mund t’ju entuziazmonte. Një demokraci e re, shpesh e aftë të trazohet dhe larg së pasurit fuqinë diplomatike të shumë vendeve përpara nesh në këtë karrige.
Shanset ishin kundër nesh.

Në fillim të vitit, vendosa tri objektiva:
– Për të zbatuar angazhimet tona së bashku;
– Për të bërë ndryshimin në terren;
– Për të ndërtuar stabilitet përmes dialogut.

I vendosëm qëllimet tona lart, sfiduam veten jo vetëm për të lënë mbresë, por një ndikim, por, po kështu, qëndruam me këmbë në tokë, ndërkohë që që nisëm këtë aventurë kaq sfiduese për një vend si i yni – i fundit që u anëtarësua në OSBE, meqë ra fjala dhe vërtet shumë herë më vonë se të fundit para nesh.

E më tej, shumë pak kohë pas nisjes sonë, bam, një pandemi e frikshme ja behu mes të gjithë nesh. Na u desh të punonim nga shtëpitë, pas ekraneve të privuar nga mundësia për t’u takuar sy më sy, që është kaq thelbësore për diplomacinë dhe proceset e arritjes së marrëveshjeve. Megjithatë, na u desh të vazhdonim, të vazhdonim të bënim këtë punë që ishte kaq domethënëse në historinë e marrëdhënieve tona me botën e jashtme.

Njëherë e një kohë, gjatë jetës sonë, ne ishim Koreja e Veriut e Europës dhe krejt papritur na u desh të udhëhiqnim përmes një pandemie një organizatë kaq të madhe botërore. Kështu që, shanset u përkeqësuan edhe më tepër, por ne ia dolëm dhe mundëm të shënojmë përparim, një progres aspak i dukshëm për të gjithë. Negociuam për rritjen e buxhetin për Misionin e Posaçëm të Monitorimit në Ukrainë, zbatuam mënyra të reja pune për OSBE-në me një kalim të shpejtë për t’i mbajtur diskutimet tona e për t’i marrë vendimet online.
Nuk duket si diçka për t’u theksuar, por më lini t’ju kujtoj që e kemi bërë këtë përpara Kombeve të Bashkuara e të tjerëve, përpara se ata të përshtateshin dhe nuk është gjë e vogël, besoj.

Më pas, në korrik, humbën drejtuesit e OSBE-së, nuk kishte konsensus për të gjithë ekipin e të 4-ve dhe saktësisht, Shqipërisë iu desh të merrte përsipër më shumë përgjegjësi sesa çdo kryesues përpara, iu desh t’u jepte fuqi zëvendësve për të marrë situatën në dorë dhe ne vetë morëm gjithashtu situatën në dorë, aty ku ishte e nevojshme. Shanset ishin realisht kundër nesh.

Më pas erdhi Bjellorusia. Megastruktura, shumë me më tepër reputacion si BE-ja, NATO-ja, duken se ishin të padobishme pas barrikadës midis Perëndimit dhe Lindjes të hartës sonë organizative. Kështu që Organizata jonë doli në pah në sy të të gjithëve si organizata e vetme për të trajtuar shqetësimin e jashtëzakonshëm për shkeljen e neveritshme të vlerave dhe parimeve tona në Minsk.
U përpoqëm të ndihmonin, por oferta jonë nuk u mor në konsideratë. Në fakt, me të drejtë lejuam që të dëgjohej raporti i mekanizmit të Moskës dhe që të merreshin në konsideratë rekomandimet e tyre. Ishte larg së qeni ideale, por ishte më shumë se asgjë.

Kjo situatë rajonale u ndoq nga një tjetër goditje, që ishin luftimet e ashpra në kontekstin e konfliktit të Nagorno-Karabakh, që iu shtuan situata të tjera komplekse nga kriza e Ukrainës e përreth saj, Gjeorgjia, procesi i zgjidhjes Transdniestriane e kështu me radhë. E qartë që këto armiqësi të reja e bënë bashkëbisedimin edhe më të tendosur dhe më të përçarë. Në këtë fazë, gjithçka ishte kundër nesh. Krizë përmbi krizë, por ne nuk hoqëm dorë e nuk lamë asgjë prej tyre të na ndalte në punën tonë. Na duhej të provonim gjithçka. E morëm përsipër gjithçka, treguam qëndrueshmërinë tonë, ambicien tonë, pasionin tonë dhe ne e bëmë, – më lejoni ta them në mënyrë shqiptare, – me zjarr, me këmbëngulje, me ca karizëm ndoshta dhe natyrisht, të ushqyer me ton kafe.
Mësuam gjatë punës, por bëmë punën kundër të gjitha parashikimeve dhe ia dolëm.

Ky Këshill Ministerial është fundi i lumtur i rolit tonë si personazh kryesor në filmin e këtij viti për OSBE-në dhe ka qenë fund i mirë më duhet të them. Por, edhe pse modestia në sferën publike nuk është pika ime e fortë, por më duhet ta them qartë e fort se ishte sukses, por larg së qeni suksesi im. Kam listë të gjatë njerëzish që duhen falenderuar për rolin që kanë luajtur.

Së pari, faleminderit që ngritët dhe erdhët nga të gjitha anët e rajonit këtu, për të kontribuar në debatin tonë në kohë kaq të ndërlikuara.
Këto dy ditë kanë qenë mundësi e vyer për të ndarë pikëpamjet tona, ndërkohë që nuk mund të ishim bashkë e do kemi gjithmonë keqardhje për këtë, jo për shkakun tonë, por e humbët të gjithë shansin për të shijuar përjetimin e jashtëzakonshëm të mikëpritjes shqiptare.
Megjithatë, 53 ministra që morën pjesë në këtë takim online, që nuk është kaq e mirëqenë në këto kohë kaq të vështira dhe faleminderit shumë dhe kolegëve të vyer që e bënë të mundur këtë në mënyrë kaq të mirë.

Më lejoni të them që kjo pjesëmarrje dëshmon rëndësinë e përtërirë që ne i kemi vënë qëllimit të punës së OSBE-së. Jemi organizatë e larmishme dhe kemi pjesën tonë të mosmarrëveshjeve, por kurrë nuk duhet të harroni potencialin e ndikimit që mund të sjellim bashkë.

Së dyti, dua të falenderoj ekipet tuaja, sepse pas gjithkujt që ka folur në këtë Këshill, janë ata që bëjnë punën reale të vështirë, ditë pas dite e që përgatisin fjalimet. Janë ata që ju kanë përfaqësuar në mënyrë të admirueshme gjatë gjithë vitit.

Së treti, do doja të falenderoja gratë dhe burrat e shkëlqyera të strukturave ekzekutive e komisioneve në terren të OSBE-së, sepse na kanë ndihmuar që të realizojmë agjendën dhe përparësitë e kryesisë sonë dhe vazhdojnë të bëjnë një dallim praktik, pavarësisht rrethanave në të cilat jemi.

Dua të falenderoj posaçërisht përfaqësuesit tanë të posaçëm e personalë dhe oficerët e ngarkuar të Sekretariatit, të institucioneve, këshillat, përvoja dhe mbështetja e të cilëve ka qenë e e paçmuar. Dua po kështu të përmend heronjtë e heshtur të OSBE-së gjatë pandemisë, ekipet e Teknologjisë së Informacionet dhe shërbimit të konferencës, të cilët e kanë mbajtur shfaqjen gjallë. Nuk mund ta kishim bërë të gjithë këtë pa ata.

Së fundmi, por aspak për nga rëndësia, dua të falenderoj ekipin tim në Vjenë dhe Tiranë. Kanë tejkaluar pengesë pas pengesë e ndryshe nga të tjerët, nuk i kishin në favor parashikimet për t’i tejkaluar dhe ia dolën. Iu është dashur të punojnë në rrethana mjaft sfiduese dhe në disavantazh nga paraardhësit e tyre. Kanë qenë larg të afërmve dhe miqve të tyre, duke punuar në mënyrë të palodhur për muaj të tërë, për të arritur një rezultat të mirë për Shqipërinë, për ju dhe për OSBE-në. Ata përfaqësojnë më të mirën e Shqipërisë dhe më të mirën e mbështetjes ndërkombëtare për Shqipërinë. Ata duhet të jenë krenarë për këtë dhe për gjithçka kanë realizuar. Jam krenar për ta. Jam gjithashtu krenar e i lumtur që kam arritur të njoh nga afër, falë punës sonë të përbashkët, një talent të jashtëzakonshëm të Shërbimit tonë të Jashtëm, ambasadorin tonë, Igli Hasani. Nuk e teproj po të them që pa atë nuk do t’ia kishim dalë ta bënim këtë gjatë gjithë kohës dhe do doja që të bashkoheshit me mua, për ta përgëzuar për ditëlindjen që ka sot, një rastësi e lumtur.

Jam shumë krenar, sepse, të nderuar kolegë, ky duket se është Këshilli më produktiv Ministerial, kështu më kanë thënë, prej shumë vitesh, e nuk shoh asnjë arsye pse të mos e përmend një gjë të tillë. Sapo kemi emëruar lidershipin e ri të OSBE-së që në fakt nuk dukej se do të ndodhte në fillim, dukej thuajse një sipërmarrje e pamundur, për të qenë i sinqertë.

Ndërkohë që sot jam në pozicionin kur jam shumë i kënaqur t’i uroj mirëseardhjen në këtë Këshill Ministerial, Helga Schmid si Sekretare e Përgjithshme; Mateo Mecacci si Drejtor i Zyrës së Institucioneve Demokratike dhe të Drejtave të Njeriut; Tereza Riberio si Përfaqësuese për Lirinë e Medias dhe Kairat Abdrakhmanov si Komisioner i Lartë për Pakicat Kombëtare.

Kemi caktuar gjithashtu dhe kryesuesit për 2023-in, miken dhe fqinjen e ngushtë, Maqedoninë e Veriut.
Kryesia nuk është detyrë e lehtë, kështu që e vlerësoj vërtetë vendosmërinë për ta marrë përsipër dhe për të treguar që vendet e Europës Juglindore kanë rritur ambiciet ndërkombëtare.

E më thoni, a nuk është e shkëlqyer që Ballkani, i cili tradicionalisht ka qenë trazues, po angazhohet për t’i ftohur gjërat në një hapësirë kaq të madhe, sa ajo që mbulon OSBE-ja.
Është e jashtëzakonshme!

Unë shpresoj që kjo, po kështu, do të ndihmojë që të ndryshojë njëherë e përgjithmonë mendësinë dhe mendimin e disa kolegëve të vlerësuar, kolegë të BE-së, njerëz të shkëlqyer, miq të pëlqyer, por që kanë disa mendime të errëta për ne, ballkanasit.

Me këtë lidership të ri dhe caktimin e kryesuesve pasardhës për vitin 2021, 2022 dhe 2023, OSBE-ja është kthyer fuqimisht në skenë me të gjitha opsionet.

Ky Këshill Ministerial, po kështu, ka rënë dakord dhe për disa angazhime të reja për të luftuar krimin e organizuar transnacional, për të luftuar korrupsionin e për të parandaluar torturën në rajonin e OSBE-së. Për rrjedhojë, kemi arritur një përparim mjaft të nevojshëm në të treja dimensionet e sigurisë së OSBE-së.

E natyrisht, kemi realizuar edhe ambicien tonë për të nxitur barazinë gjinore në një ekuilibër gjinor në pozicionet më të larta, duke drejtuar një qeveri me një balancë të plotë gjinore që në fakt renditet mes 5 të parave, sipas Kombeve të Bashkuara. Natyrisht jam shumë krenar të lë shenjën e kryesisë time me një sekretariat plotësisht të balancuar gjinor të OSBE-së dhe do të thoja se shpresoj që Shqipëria do të ketë në të ardhmen një grua në pozicionet më të larta. Në fakt është e shkëlqyer që OSBE-ja tani i ka këto, Helga Schmid, Ann Linde dhe të gjithë ne do të kemi një dyshe të jashtëzakonshme në kryesinë e gjatë gjithë vitit në vijim.

Kemi rënë dakord, po ashtu, për një deklaratë që inkurajon një bashkëpunim të thelluar me partnerët tanë aziatikë, si dhe një deklaratë e përbashkët për bisedimet 5+2 në procesin e zgjidhjes Transdniestriane. Bashkëkryesuesit e Grupit të Minskut, Rusia, Franca dhe SHBA-ja, kanë dalë në deklaratë dje që u bën thirrje Armenisë dhe Azerbajxhanit të vijojnë zbatimin e plotë të veprimeve të tyre në kuadër të marrëveshjes së 9 nëntorit. Është tashmë koha për të përfituar nga armëpushimi, për të negociuar një paqe të qëndrueshme që zgjat në kohë, nën kujdesin e bashkëkryesuesve.

Por kolegë, ne kemi ende shumë për të bërë dhe negociatat tona po vijojnë.

Ka 3 propozime që mbeten ende në tryezë, për COVID-19, për mbrojtjen e mjedisit dhe për luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore.
Secili prej këtyre propozimeve kërkon mbështetjen e më shumë sesa 55 shteteve anëtare, kështu që, ata të paktë që ende duhet të bashkohen me këtë konsensus i ftoj të gjejnë milimetrat e fundit të kompromisit, për të gjetur një marrëveshje gjatë orëve në vijim.

Në një nivel personal i bëj një sugjerim me mjaft përulësi, për të nisur diskutimet se si OSBE-ja duhet të parashohë të ardhmen e saj, duke u angazhuar në një reformë që do ta përgatitë Organizatën për kohërat sfiduese që na presin. Ka shumë gjëra për t’u mbajtur siç janë, por ka shumë gjëra që duhen menduar e riformësuar në mekanizmat e kësaj strukture të jashtëzakonshme. OSBE-ja erdhi në jetë, kur bota ishte një botë krejt e ndryshme. Linjat ndarëse midis themeluesve ishin të jashtëzakonshme, por ata e bënë realitet. Le ta nisim prej andej, si shembull i vullnetit të mirë për të ndryshuar për mirë të gjithë njerëzit tanë, nga Vankuveri deri në Vladivostok e le të mos harrojmë që, krahasuar me atë kohë, kërcënimet me të cilat përballemi janë shumë herë më të mëdha sesa kërcënimet e brendshme.

E di që moria e çështjeve që na ndajnë nuk është jo domethënëse. Natyrisht, është e pranishme edhe kur bëhet fjalë për të diskutuar dhe për të nisur diskutime formale, por le të mos refuzojmë të shohim përtej tyre, për të gjetur mënyrën për të ndërtuar një përbashkësi të re, ku përballemi me rreziqe e sfida të përbashkëta.

E di po ashtu, që miqtë rusë kanë folur mjaft për këtë gjë, megjithatë, edhe pse nuk kemi marrëveshje për ngritjen e grupit informal, le të mos e shohim me paragjykim. E në fakt, duke e dëgjuar prej meje, natyrisht e dini që unë nuk jam, mos harroni që ky mendim nuk vjen nga dikush që drejton një vend të paangazhuar, krejt e kundërta. Ne jemi anëtarë krenarë të NATO-s dhe luftojmë çdo ditë për t’u bërë një ditë anëtarë krenarë të BE-së, pavarësisht disa momente që janë për të ardhur keq, kur Këshilli Europian nuk na jep rezultat për atë çka kemi merituar me punë të vështirë. Por asgjë nuk e ndryshon mendjen tonë për punën e përkushtuar për t’u bërë pjesë e familjes së BE-së dhe asgjë nuk e ndryshon zemrën tonë, për të qenë të përkushtuar në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, me BE-në, duke qenë gjithmonë të harmonizuar me ta kur bëhet fjalë për politikën e jashtme.

Ende nuk mundem, por të them që ka një elefant të vjetër në këtë sallë të madhe shumë, për të cilën OSBE-ja nuk mund t’ia lejojë vetes që të mos ta shohë e të mos flasë, kur bëhet fjalë për të ndërtuar projekte e për të ndërtuar të ardhmen e të gjithë fëmijëve që lindin nga Vladivostoku në Vankuver.

Kolegë,

Shqipëria mund të jetë një vend i vogël, por ne donim të bënim gjëra të mëdha këtë vit. Vendi ynë nuk ka patur kurrë më parë një moment të tillë diplomatik si ky i sotmi këtu e nëse mund të arrijmë rezultate në OSBE në mes të pandemisë, në konflikte e kriza gjithë përreth nesh, nuk ka dyshime që ne mund të arrijmë të kemi rezultat dhe tjetërkund, edhe në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara në vitin 2022 dhe ky është objektivi ynë i ardhshëm.

Por sot, ky është gjithashtu një moment krenar për OSBE-në. Organizata i ka dhënë Shqipërisë kaq shumë mbështetje gjatë dy dekadave të shkuara për çdo gjë, nga reforma gjyqësore, tek ndalimi i qarkullimit të armëve të vogla dhe armatimeve të lehta, tek dalja nga një diktaturë izoluese drejt demokracisë krenare ku jemi. OSBE-ja ka qenë gjithmonë krah nesh. Ka qenë nder dhe privilegj për të kthyer mbrapsht. Pavarësisht se cila ka qenë është historia jonë, pavarësisht nëse je nga Amerika e Veriut, Europa, Azia, pavarësisht nëse je i vogël apo i madh, OSBE-ja është një platformë përmes së cilës mund të dëgjohesh. Një platformë përmes të cilës mund të bëhet dallim në sigurinë tonë dhe të tjerëve. Është një organizatë, nevoja e të cilës për konsensus e bën të brishtë, por dhe të fuqishme e që ka nevojë për një angazhim të përgjegjshëm nga të gjitha shtetet, për të shfrytëzuar këtë fuqi e për të ndaluar shfrytëzimin e vështirësive të saj.

Është një organizatë, e cila ka një vend në botë, një organizatë, e cila meriton të vlerësohet me të njëjtën mënyrë se si ne vlerësojmë anëtarësinë tonë në Kombet e Bashkuara, në BE, në Këshillin e Europës, apo në NATO. Nuk jemi një vend ku vetëm flitet, nuk jemi një frigorifer ku ngrijnë konfliktet. Ne bëjmë një punë të shkëlqyer aty ku të tjerët nuk munden, apo nuk duan të përfshihen.

Këtu, të nderuar miq, përfundon rrugëtimi i kryesisë sonë. Ka qenë një udhëtim i jashtëzakonshëm, mjaft i bukur. I bëj urimet më të mira Suedisë, gjithashtu edhe Anës, për vitin tjetër. Asaj ju desh të largohej ndaj do t’i kërkojmë ambasadorit që ta marrë fjalën në emër të saj, por, për ta përmbyllur, do t’i garantojmë gjithsekujt që do të mbetemi krah jush, si pjesë e Trojkës, për t’ju ndihmuar në çdo mënyrë.

Ju falenderoj shumë për vëmendjen dhe gjithashtu që u bashkuat me ne përmes internetit, duke mos pasur mundësinë që të bashkoheshit me ne offline. Ju faleminderit!

*Përkthim simultan