Në kantieret e shkollave të rrënuara nga tërmeti

Objektet arsimore të cilat u rrënuan nga tërmeti i 26 Nëntorit të shkuar, janë sot kantieret ku puna për rindërtimin po ecën me ritmet më të shpejta, në mënyrë që të arrihet objektivi, për hapjen e këtyre shkollave për nxënësit në 26 Nëntor të këtij viti.

Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin e Rindërtimit Arben Ahmetaj ishin në shkollën “Llesh Nik Daka”, në Lezhë e cila pritet që në 26 nëntor të jetë gati për të pritur 535 nxënës.

“Fondi është gati 2.5 milion dollarë. Është mbi 3900 metra katrorë ndërtim. Vetëm në gati 30 ditë kemi kaluar në katet e dyta në objektet arsimore,” u shpreh Ahmetaj.

Kryeministri Edi Rama kërkoi nga firma ndërtuese që të ecet me të njëjtat ritme në mënyrë që të kapen afatet e vendosura për shkollat.

“Në 26 nëntor këtu do futen fëmijët. Në 26 nëntor do hapni derën. Punoni me 4 turne po të doni, po kjo punë duhet të mbarojë. Fundi i dhjetorit është viti i ri. Na pengoi shumë karantina po duhet ta kapim 26 Nëntorin patjetër,” u shpreh Kryeministri Rama.

Ndryshe nga më parë, shkolla e mesme e bashkuar “Llesh Nik Daka” do të ketë ambiente për të gjitha funksionet e një shkolle dhe qendre komunitar siç janë laboratorët, këndet sportive, mjediset e shërbimeve, infrastrukturë moderne më e sigurt dhe me kushte optimale.

Aktualisht janë 143 shkolla të reja në zonat e prekura nga tërmeti të cilat janë në programin e Rindërtimit.