Me biznese Start Up dhe sipërmarrje të reja përfituese nga skemat mbështetëse për bizneset dhe inovacionin

Kryeministri Edi Rama në bashkëbisedim online me biznese Start Up dhe sipërmarrje të reja përfituese nga skemat mbështetëse për bizneset dhe inovacionin:

Kryeministri Edi Rama: Zhvillimet e kohëve të fundit, sidomos të viteve të fundit, kanë treguar që roli i ndërmarrjeve inovative, i Start-up-eve dhe sipërmarrjeve të reja, të iniciuara nga më të rinjtë, ka marrë gjithnjë e më shumë rëndësi në funksion të një zhvillimi ekonomik, të bazuar tek dijet e reja.

Ne jemi përpjekur vijimësisht të krijojmë një ekosistem të përshtatshëm për nxitjen e Start-up-eve në Shqipëri dhe kemi ndërmarrë disa hapa, që me siguri janë hapa të rëndësishëm, po jo të mjaftueshëm, për të ndihmuar nismat tuaja dhe të të tjerëve si ju, duke nxitur fokusin tek inovacioni dhe teknologjia e informacionit. Prej disa kohësh kemi në fuqi një masë nxitëse prej 5% mbi Tatim-fitimin për operatorët në fushën e Teknologjisë së Informacionit.

Nga ana tjetër besojmë shumë që me zerimin e Tatimit mbi Fitimin për bizneset e vogla kemi dhënë një ndihmesë të konsiderueshme për të gjithë bizneset e vogla, por posaçërisht, meqe jemi këtu me ju dhe po bisedojmë për këtë sektor, kemi krijuar një klimë edhe më të mirë në funksion të nxitjes së sipërmarrjeve të llojit tuaj.

Gjithashtu, aprovimi i ligjit të ri të pagesave i hap rrugën zhvillimeve të reja në këtë treg të teknologjisë, duke mundësuar pagesa të menjëhershme dhe duke krijuar kushte për përdorimin e sistemit të pagesave nga aktorë të tjerë, jo banka. Kjo, ne besojmë që do ta zgjerojë tregun me aktorë të rinj dhe do të ndikojë edhe në formalizimin e ekonomisë.

Nënshkrimi elektronik me mjete sigurie është një tjetër hap që ka ndikuar shumë pozitivisht, në tërësi, edhe për dhënien e shërbimeve online, ku besojmë që kemi bërë një transformim kolosal në krahasim me nga u nisëm, jo nga ku duam të mbërrijmë, duke u dhënë mundësi individëve të përfitojnë shërbime pa kosto financiare, pa kosto në kohë dhe mbi të gjitha, pa korrupsion.

Natyrisht që mund të thuhen shumë gjëra, por unë nuk do t’u marr kohë më shumë, thjesht bëra një hyrje shumë të përmbledhur. Me kënaqësi do t’u kaloj fjalën juve.

Faleminderit edhe një herë për praninë dhe fjala është për ju.

Jam fituese e projektit IDEA nga Ministria e Financave. Cilat mund të jenë disa nga mekanizmat që do të forconin lidhjet në fushën e inovacionit për mjedisin shqiptar, por dhe më gjerë?

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit! Këtu po bëj një ndërhyrje më shumë, për t’ju krijuar juve dhe atyre që na ndjekin një pamje të panoramës aktuale, gjithmonë duke kërkuar që kjo pamje të gjykohet mbi bazën e pikënisjes së deri para disa viteve, kur e vërteta është që nismat e këtij lloji ishin nisma individuale, pa asnjë rreze drite, në sensin e vëmendjes e të mbështetjes.

Ne kemi vendosur një fond të veçantë në dispozicion të sipërmarrjeve të kësaj natyre, duke i shtrirë ato nga prodhimi tek shërbimet, industria e lehtë, turizmi, fusha të ndryshme të kërkimit, agropërpunim, modelim, dizajn dhe artizanat. Në këtë skemë më vjen shumë mirë të them që nga 61 ndërmarrje, të cilat janë ndërmarrje të vogla e të mesme, që kanë përfituar dhe që përbëjnë 66% të aplikuesve, – në total kanë qenë 92 aplikantë, – 30 nga ndërmarrjet fituese kanë marrë mbështetje pikërisht në fushën e auditimit të inovacionit e të teknologjisë dhe 28 prej tyre janë mbështetur në pajisje teknologjike dhe pjesa tjetër janë mbështetur për krijimin e software.

Nga ana tjetër, dikush e përmendi që këtu është përfshirë në këtë skemë edhe BE-ja dhe janë deri më sot 150 Start-up-e që janë ndihmuar drejtpërdrejtë, plus, atyre që folëm. Të gjitha këto shifra vlejnë vetëm për të thënë se këtu ka shumë potencial për të zhvilluar dhe mund të themi që jemi në një fazë të çeljes së nje embrioni, por jo të zhvillimit të konsoliduar të tij. Pikërisht për këtë arsye, ne besojmë shumë që ndërveprimi me ju është themelor.

Ju nuk duhet të ndiheni si aktorë pasivë në këtë proces, por duhet të jeni aktorë aktivë. Nuk duhet thjeshtë të prisni e t’i referoheni përgjigjeve tona, por duhet të nxisni gjetjen e rrugëve për të dhënë përgjigje të reja, sëbashku. Besoj shumë që ju na keni ndihmuar realisht me punën dhe me dëshmitë tuaja të punës që të shohim më larg e të kuptojmë më mirë që këtu ka një perspektivë të jashtëzakonshme. E jo vetëm ka një perspektivë të jashtëzakonshme, sepse këtë teorikisht e dime, teorikisht këtë e dinë të gjithë, por ka një potencial real për ta zhvilluar këtë sektor në drejtim të asaj perspektive.

Në vizionin e Shqipërisë 2030, pesha që zë ky aspekt i jetës sonë ekonomike e sociale, që lidhet drejtpërdrejt edhe me punën tuaj, është shumë herë më e madhe, sesa pesha që ka zënë në të shkuarën ose që ka zënë deri më tani, në raport me aspektet e tjera. Sepse është një aspekt që ndërthuret me gjithë aspektet e tjera, i plotëson të gjithë aspektet e tjera, i fuqizon të gjitha aspektet e tjera në çdo fushë.

Ne jemi shumë të inkurajuar nga fakti që kemi hapur një rrugë të re me qendrën TUMO në Tiranë. Jemi në proces për të bërë gati një hapësirë fantastike, me standardet me të larta europiane apo bashkëkohore, tek Piramida, për ta strehuar jo vetëm TUMO, por për të strehuar shumë iniciativa e shumë iniciatorë e për ta kthyer Piramidën në një qendër të madhe evolucioni në këtë aspekt.

Në Korçë është hapur programi fleksibël për mbështetjen e Start-up-eve njësoj si në Shkodër. Korça ka marrë një fond për të mbështetur rajonalisht këtë ekosistem. Biblioteka e re e Korçës, pasi ka përfunduar, po bëhet gati t’i vihet në dispozicion jo vetëm Start-up-eve, por edhe një procesi intensiv kursesh bashkëkohore, të licencuara jashtë shtetit, për kodimin.

Në Vlorë jemi duke përgatitur projektin e transformimit të asaj godinës fantazmë, që prej 40 vitesh i bën hije Sheshit të Flamurit, në një qendër të komunitetit, ku zemra e kësaj qendre do të jetë pikërisht hapësira për Start-up-et për kodimin. Duam të krijojmë një rrjet të tërë me qendra të tilla në të gjitha qendrat e qarqeve të Shqipërisë, për t’i dhënë mundësi të rinjve të përfshihen drejtpërdrejtë në këtë rrjet, të gjejnë strehë për nismën e tyre, por edhe të trajnohen intensivisht me kurse të posaçshme, për t’u kthyer në kodues e për të marrë dije të tjera dhe kështu për të dalë në një treg që është shumë më i madh se tregu ynë, pa lëvizur nga Shqipëria.

Kam parë shumë përqeshje për atë çka unë thashë, lidhur me një realitet që është në Korçë, por nuk është vetëm në Korçë. Edhe shumica juaj këtu jeni protagonistë të këtij realiteti, jo dëshmitarë, sepse e keni parë, sepse jetoni në këtë realitet që është krijuar edhe me kontributin tuaj, që të rinjtë mund t’i japin vetes punë cilësore, punë me pasion, jo punë të bërë thjeshtë e vetëm sepse duhet bërë një punë për t’u ushqyer. Një punë që mund të çelë një perspektivë të jashtëzakonshme për t’u paguar ashtu sikundër shumëkujt as nuk ia pret mendja se mund të arrihet.

 – Para se të kaloj tek pyetjet doja atë theksoja meqë po flisni për pjesën e projekteve të BE-së, se unë jam përfitues nga këto projekte. Nëse do konsiderojmë të zhvillojmë shumë teknologjinë dhe IT-në, gjëja kryesore apo karburanti i këtyre nismave është paraja digjitale e për sa kohë pagesa digjitale të mos jetë një realitet në konsumin shqiptar, mendoj që do vuajë gjithmonë zhvillimi i këtyre gjërave. 

Kryeministri Edi Rama: E ndaj me ty gjithë opinionin që dhe, por dua të kujtoj vetëm që Shqipëria është jo për shkak se ne jemi më të zotë se të tjerët, por për shkak se në pozicionin ku jemi, na jepet mundësia të bëjmë kapërcime të mëdha në këtë fushë, e cila është një fushë që i jep mundësi atyre që janë më mbrapa të bëjnë kapërcime, të cilat në një kohë tjetër ishin absolutisht të pamundura. Nëse zhvillimi në kohë, deri përpara se të shfaqej ky revolucion digjital botërisht, ishte i diktuar nga një progres i avashtë dhe nga transferime jo të shpejta të teknologjisë e të dijes, duke kaluar nga një makinë shkrimi e një tipi në një makinë tjetër shkrimi të një tjetër tipi më të avancuar në një periudhë kohe më të gjatë, sot me këto instrumente që jep teknologjia mund të bësh kapërcime epokale, pa qenë i detyruar të kalosh në të gjitha fazat, duke qenë se në fazën e mëparshme, ti ke qenë shumë më mbrapa se të tjerët që i kanë bërë kapërcimet graduale.

E bëra këtë parantezë për të thënë që duke shfrytëzuar shansin dhe mundësinë e kohës, ne jemi i pari vend që kemi arritur të kalojmë në Parlament një legjislacion të plotë, për të rregulluar gjithë procesin apo aktivitetin e monedhës digjitale. Natyrisht, kjo është jo drejtpërdrejtë e lidhur me atë që ju thatë për pagesat digjitale, por e thashë këtë që të konfirmoj se jemi shumë të vëmendshëm në këtë drejtim e kemi shkuar realisht larg me këtë legjislacion, i cili është parë me shumë interes nga partnerët e tjerë, shtetet e tjera. Edhe për pagesën digjitale jemi në një proces që do të jetë shumë i shpejtë, për shkak të kohës, jo për shkakun tone. Ky është një objektiv për të kaluar shumë shpejtë në atë faze, që mundësia është për shkak të teknologjisë.

 Unë jam fokusuar në këtë sipërmarrje prej pak vitesh e jemi përfitues të programit të formimit dhe mbështetjes financiare nga IDEA. Do doja t’ju pyesja, nëse keni parashikuar ndonjë mbështetje teknike ndaj aktorëve në fushën e inovacionit dhe si mendoni se mund të fuqizohen sipërmarrjet e të formohen ato, për të pasur mundësi në më shumë akses në fondet e BE-së, pasi aktualisht eshtë një sfidë për të gjitha sipërmarrjet shqiptare.

Kryeministri Edi Rama: Dua të nënvizoj një aspekt shumë të rëndësishëm të pyetjes, që lidhet me qoftë mundësinë e jashtëzakonshme potenciale që ka aksesi në fondet e BE-së në këtë fushë, qoftë me domosdoshmërinë për t’u bërë të gatshëm për të përfituar nga ky akses. Po jap një shembull të thjeshtë. Deri para disa vitesh, ne kemi qenë vendi i fundit në rajon për kapacitetin përthithës të fondeve të BE-së për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Sot jemi të parët në rajon. Pse jemi të parët?

Nuk kemi bërë asnjë çudi. Thjesht kemi mësuar, kemi kuptuar e jemi organizuar përmes AZHBR-së, si një qendër e koordinimit të të gjitha përpjekjeve dhe e kanalizimit në drejtimin e duhur të informacionit, për t’u ardhur në ndihmë sipërmarrësve në bujqësi dhe për të qenë përfituesit e parë. Edhe në këtë fushë duhet shkuar në të njëjtin drejtim.

Kini parasysh që ju jeni ata, të cilët mbase mund të bëheni dhe pionierë të çarjes së kësaj rruge, duke dhënë shembull dhe për të tjerët, sepse gjithsesi, duke qenë subjekte që i jeni drejtuar forcës së ideve përmes mjetit të projektit për të përfituar fonde e nuk keni ndenjur të prisni që fondet t’ju bien nga qielli, ju e keni këtë kulturë. Bashkimi Europian ka miratuar një program, një plan shumë ambicioz investimesh për Ballkanin Perëndimor prej 28 miliardë eurosh, prej të cilave 20 janë kredi dhe 8 janë grant, – në fakt, 29, pasi 1 nga 9 është një fond i destinuar për të garantuar kreditë, – me tre shtylla:

Infrastruktuën në funksion të konektivitetit, ndërlidhjes me rrugët, me portet, me të gjitha ato akse që janë të rëndësishme jo vetëm për një vend, por dhe për vendet rreth e rrotull në rajonin tone;

Energjinë;

Dixhitalizimin.

Tek dihjitalizimi bëhet fjalë për të mësuar, për të kuptuar e për t’u organizuar në mënyrë që të përfitojmë sa më shumë në interesin tonë si vend e natyrisht, në interesin e ekonomisë sonë, ku ju jeni aktorë. Besoj që kjo është shumë e rëndësishme, në sensin e përfshirjes suaj të drejtpërdrejtë në një bashkëpunim që duhet forcuar me qeverinë, duhet forcuar me institucionet. Një vërejtje apo konstatim që bëri një prej parafolësve tuaj kishte shumë sens në atë që tha për agjencinë në fjalë. Këto gjëra të vogla në dukje, që janë detaje organizative mund të bëjnë një ndryshim shumë të madh. Mund ta bëjnë ose të pamundur makinerinë që të funksionojë në shërbim të interesave për të cilat është ngritur, ose ta përshpejtojë punën e kësaj makinerie.

– A do të ketë rishikim të legjislacionit, duke e përshtatur atë me ndryshimet digjitale dhe nevojat e tregut në mënyrë që ne si Start-up-e që operojmë në teknologji të kemi mundësi të konkurrojmë të barabartë, të paktën, në një treg ndërkombëtar?

Kryeministri Edi Rama: Legjislacionit vendas e ke fjalën? Meqë flasim për tregun ndërkombëtar.

 – Le të themi ndoshta lehtësi të pranimit të pagesave, të Start-up-eve që operojnë me plane, apo ne të futemi e të kemi mundësë, edhe pse jo të aksesojmë në një treg të huaj.

Kryeministri Edi Rama: Aksesimi juaj në një treg të huaj, është një qëllim shumë i rëndësishëm, realisht, i yni. Unë e kam thënë në mënyrë të përsëritur këtë dhe ne do bëjmë çmos për këtë, sepse, duke hapur rrugën që sa më shumë të rinj e të reja të mund të aksesojnë tregun e huaj nga këtu, ne praktikisht hapim një dritare të re që nuk ka limit në gjerësinë e saj, potencialisht, për të rinjtë që të qëndrojnë këtu e të jenë pjesë e botës në punën e tyre të përditshme dhe të garantojnë të ardhura shumë të mira.

Kështu që kjo nuk ka diskutim. Patjetër është më e lehtë ta thuash sesa ta bësh, si çdo gjë tjetër, por një gjë doja ta them me forcë. Legjislacioni ynë nuk është i shkruar në gurë dhe ndryshimet e legjislacionit janë gjëja më normale, më e natyrshme, më e nevojshme për t’u bërë, kur atyre u vjen koha. Por ju nuk duhet të prisni që kjo të ndodhë nëse ju mendoni se kjo duhet të ndodhë sot. Që do të thotë, duhet të jenë aktivë e të jeni nxitës në këtë drejtim dhe të avanconi propozimet tuaja, duke dhënë sugjerimet tuaja dhe jo vetëm duke shprehur nevojën apo ankesën.

Ju i përkisni një gjenerate tjetër, jo thjesht në moshë. Ju që jeni këtu e ata që janë në këtë ekosistem i përkisni një gjenerate tjetër në mënyrën e të menduarit. E realisht keni barrën, detyrimin që të jeni shumë nxitës edhe në drejtimin tonë. Ajo që unë mund t’ju siguroj është që siç kemi qenë gjithmonë të hapur e të gatshëm t’ju dëgjojmë dhe të reagojmë ndaj nevojave apo propozimeve tuaj, kështu jemi natyrshëm sepse na duhet kjo gjë.

Ju fola pak më përpara për legjislacionin që ne shkruam për monedhën digjitale. Konsulentët tanë, personat që u morën nga afër me konsultimin dhe me shkrimin e ligjit ishin të gjithë të rinj e shumë të rinj. Pjesë të tëra të ligjit ishin të pakuptueshme për ekspertë shumë të nderuar, por në një kohë të kaluar mbi këtë tokë shumë më të madhe. Thjesht ju dukej sikur lexonin në një gjuhë të huaj, edhe pse ishte shqip.

Ju jeni mishërimi i një shpejtësie tjetër komplet dhe fakti që me talentin tuaj, me shpejtësinë tuaj të të menduarit, ju mund të ishit kudo sot. Ne kemi parë plot nga ju e si ju, që janë kudo, por keni qëndruar këtu dhe bëni këtu sukses dhe çani nga këtu barrierat. Ju jeni të investuar në një fushë ku puna juaj nuk mund të ketë kufi dhe jeta juaj zhvillohet në një botë që në kokën tuaj s’ka kufi, në raport me atë që bëni. Në këtë aspekt është e pashmangshme që të kërkoni që ne të jemi reflektues dhe të shpejtë në reagim për gjërat që ju keni nevojë, sepse kështu ne ndihmojmë njëri-tjetrin. Ju ndihmoni veten tuaj dhe të tjerët në kategorinë tuaj, ne ndihmojmë zhvillimin. Kapaciteti motorik i zhvillimit që ka fusha ku ju sot veproni është i jashtëzakonshmë. Ҫfarë ne shohim sot, është mikroskopike në raport me këtë kapacitet.

Mos hezitoni të na nxisni dhe mos e harroni që ne, jo vetëm nuk i dimë të gjitha, por në këtë fushë, ju dini shumë më tepër sesa dinë shumë të tjerë, në raport me ne, në fushat e tyre, sepse kjo fushë nuk është tradicionale, është komplet e re. Në këtë fushë, ju jeni pionerë, jeni ata që çajnë rrugën.

-Pyetja ime ka të bëjë rreth standardizimit të produkteve elektronike që shiten nga disa distributorë në Shqipëri. Kohët e fundit është përhapur shumë fenomeni i shitjes së këtyre produkteve me çmime shumë më të larta, sesa i atyre që janë të vendosura nga prodhuesi. Çfarë mendoni se mund të bëhet për këtë, duke qenë se është një problem qe e ka shqetësuar shumë komunitetin e sportit elektronik dhe të gjithë personat që janë të interesuar.

 

Kryeministri Edi Rama: Ju falenderoj se më dhe mundësinë që me shëmbullin tënd të ilustroj atë që thashë. Mos prisni çfarë mendojmë ne, por mendoni çfarë të na thoni ju, në sensin që ju me siguri jeni plot me shqetësim për këtë fakt apo për të tjera gjëra dhe nga shqetësimi mendoni tërë kohës si mund të zgjidhet kjo.

Është shumë mirë që çfarë mendoni si mund të zgjidhet, të na e propozoni sepse, nëse bebja nuk qan, nuk merr qumësht. Në këtë sens, ju jeni tamam një krijesë e re e tregut shqiptar, e kësaj bote ku ne jetojmë në këtë vend. Shumëçka që ju keni nevojë, jeni ju të parët që e ndjeni sepse nuk është një treg tradicional, ku gjërat në një farë mënyre janë të njohura për të gjithë dhe ku dhimbjet, shqetësimet, problemet lexohen pavarësisht nëse je brenda, ose e sheh tregun nga jashtë. Ky është një treg shumë i veçantë, prandaj po ju them të gjithëve, mos hezitoni dhe mos prisni të vijë zgjidhja kur të arrijë fjala ose kur të kandiset qeveria, por avanconi shqetësimin dhe propozimet tuaja. Flas për këtë rast dhe çdo rast tjetër.

Më vjen keq për veten, sepse do të doja shumë të isha deri në fund të bisedës, por besoj e dini që fiksimi i këtyre ditëve është vaksina dhe për shkak se jam në një tjetër dhomë, për të vazhduar përpjekjet për vaksinën. Kemi nevojë për të rritur dozat në dispozicion dhe për t’i rritur sa më shpejt dhe kemi disa kanale të hapura. Kështu që ju më mirëkuptoni se nuk do t’u kisha lënë sot për asnjë arsye tjetër, nëse s’do të ishte kjo arsyeja. Ministre, ju lutem, së bashku me kolegun ndiqeni deri në fund këtë bashkëbisedim dhe për çfarëdoqoftë që unë duhet të vihem në dijeni, apo për çfarëdoqoftë që unë duhem për të nxitur çfarëdo procesi në emër të këtyre personazheve të veçanta që janë në këto ekrane dhe të atyre që janë pjesë e kësaj kategorie, por që nuk janë këtu, unë jam 24 orë në dispozicion.

Shumë faleminderit! Shumë respekte për të gjithë ju, realisht dhe admirim për talentin, për kurajon, për vullnetin dhe për suksesin tuaj, që me qeverinë ose pa qeverinë është i garantuar. Por do jetë nderi i qeverisë që të jetë pjesë e suksesit tuaj, siç do të jetë turpi i qeverisë, nëse ju do të bëni sukses dhe ne s’do kemi bërë asgjë për ju.