Hapet në Shqipëri qendra e kreativitetit teknologjik TUMO

Përshëndetja e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e çeljes së qendrës së kreativitetit teknologjik TUMO, në stadiumin Air Albania:

Më lejoni në radhë të parë që t’i përshëndes miqtë nga SHBA-ja dhe mbase mund t’ju vlejë si ngushëllim që në këtë fazë të jetës sonë interesante, ne jemi në të njëjtën varkë, sepse as ne shqiptarët, as ju amerikanët nuk hyjmë dot në BE, pasi BE-ja i ka mbyllur kufijtë edhe për ju, edhe për ne, për t’u mbrojtur nga infektimi që ne mund të eksportojmë në BE. Kështu që, ky është një ngushëllim sado i vobektë, edhe pse do të isha shumë i lumtur sikur sot, në kurorëzimin e një ideje disa vjeçare, këtu bashkë me ne të ishte edhe bashkëudhëtari ynë aktiv në këtë përpjekje për ta bërë më të mirë Shqipërinë dhe mund ta them miku im, Michael Granoff, së bashku me të gjithë kolegët e tjerë të Bordit të këtij Fondacioni, që ka qënë që në krye të herës i gatshëm të na dëgjojë, i gatshëm të përpiqet të na kuptojë dhe mbi të gjitha, i gatshëm që së bashku me ne të ndërtojmë histori suksesi.

Kjo është një histori e bukur suksesi që këtë herë shkon në favor të atyre që janë më të dobëtit në shoqërinë tonë, në raport me mundësitë që infrastruktura e vendit, infrastruktura e qyteteve tona ju ofron, që janë fëmijët.
E këtë mund ta them edhe nga eksperienca, jo fort pozitive personale si baba i një djali 6 vjeç dhe kjo është arsyeja, pse ne po punojmë për të shkuar përtej shkollave, përtej kopshteve, përtej çerdheve dhe përtej këndeve të lodrave nëpër lagje, që kanë qënë një nevojë e madhe dhe janë një domosdoshmëri elementare nëpër komunitete dhe për t’ju ofruar fëmijëve adresa të reja, mundësi të reja në një kohë të re. Përndryshe të gjithë ne prindërit, ose të gjithë vëllezërit dhe motrat më të rritur sesa më të vegjlit, bëhemi bashkëfajtorë në një faj të madh, sipas meje, që në mungesë të alternativave të tjera t’ju japim iphone borxh. Ata e përdorin iphonin me shumë më tepër shpejtësi dhe me shumë më tepër shkathtësi sesa të gjithë ne. Ne mrekullohemi ndonjëherë me shpejtësinë dhe shkathtësinë e tyre, por në ndërkohë bëjmë një gabim që unë mendoj se ka përmasat e fajit, në raport me të nesërmen e tyre.

E kur në kushtet kur të gjithë ne si prindër jemi në dilemën e madhe se çfarë realisht duhet të bëjmë dhe si duhet t’ia dalim që të mos cenojmë mendjen e bukur të fëmijëve, të mos cenojmë imagjinatën e tyre, të mos cenojmë të nesërmen e tyre, duke ia u bërë më të lehtë aksesin e pakontrolluar, aksesin e paorientuar, aksesin e paparashikueshëm në teknologji, ka ardhur si një bekim nga Zoti, sipas meje, TUMO.
TUMO është një krijesë e jashtëzakonshme e mendjeve që në një vend të largët për të cilin nuk dëgjojmë shpesh, në Armeni, kanë shkuar përtej shqetësimit, kanë shkuar përtej dilemave dhe kanë guxuar të krijojnë një hapësirë që i lidh fëmijët me teknologjinë dhe që synon t’u japi atyre instrumente për t’u zhvilluar, instrumente për të kuptuar në mënyrë thuajse fizike teknologjinë dhe për ta bërë atë pjesë të të gjithë procesit të tyre të të imagjinuarit dhe të ndërvepruarit me botën.

Natyrisht që ky bekim nga Zoti do të ishte i pamundur që të kthehej në një realitet që sot faktikisht është gati t’i mirëpresë të 1 mijë fëmijët e parë, nëse nuk do të ishte në mes të krijuesve fantastikë të TUMOS-s dhe Tiranës një urë miqësie, një urë partneriteti, por dhe një urë dashurie mendoj, për këtë vend që është Fondacioni Shqiptaro-Amerikan.

Nuk është një Fondacion që ka lekë në fakt, unë e di ç’heq me Michael Granoff për t’i nxjerrë lekët. Jo se nuk kanë lekë, por vlera më e madhe e tyre është që kanë besim në radhë të parë tek mënyra e të menduarit dhe pastaj kanë principin që nuk është gjithçka të kesh lekë, por mbi të gjitha të kesh idenë e duhur. Pastaj kur vjen puna tek lekët, t’i japin me një dorë dhe duan që nga dora tjetër t’i japësh ti lekët, pastaj duhet të futet e dikush tjetër, por kjo është histori më vete, është sistemi i tyre i punës.

Gjëja më e rëndësishme është që përtej lekëve dhe përtej dijeve të tyre, ata që sot e mbajnë ngritur dhe gjithmonë e më të fortë këtë urë, që nga Michael dhe deri tek djemtë shqiptarë këtu, Michael është shqiptarizuar, këta janë amerikanizuar, ky është një konflikt më vete brenda tyre që unë nuk ndërhyj, kanë një ndjenjë të fortë të lidhur me këtë vend dhe një ndjenjë përkatësie e dashurie për punët që bëjnë. Kjo i bën punët që të jenë gjithmonë të shkëlqyera, ose gjithmonë të kopsitura, kur themi ne – jam i bindur që tani përkthyesja do bëj ndonjë skandal dhe nuk e di si do i tingëllojë Michael kjo kopsitja, por ju e kuptoni se çfarë dua të them – dhe të jenë gjithmonë frymëzuese për të shkuar më tutje.

Unë kam një parashikim, mbase gaboj, por nuk mendoj që kjo qendra këtu do mbyllet. Unë mendoj që kjo qendra këtu do mbetet e hapur dhe tjetra do t’i shtohet dhe Tirana do jetë i pari vend që do ketë TUMO 1 dhe TUMO 2, për arsye se jam absolutisht i sigurt që kërkesa do jetë eksponenciale. Do jetë e pamundur që çfarë do ndërtohet këtu e çfarë lidhjesh do krijohen këtu të merren të gjitha e të spostohen sikur po shkon në një shtëpi më të madhe, ndërkohë që nevoja për hapësirë, nevoja për të bërë më shumë do shkojë duke u rritur e pa diskutim që Michael do jetë i pari që do thotë, shiko, mos ta mbyllim atë, prandaj, sikur ju të jepni ca lekë më shumë, kjo do jetë një zgjidhje ideale për të gjithë.

Sidoqoftë nuk ka rëndësi sa jep Fondacioni, sa jep qeveria, sa jep bashkia. Ne jemi 1 në këtë proces dhe kjo është gjëja më e bukur, sepse Fondacioni na ndihmon që të kapërcejmë disa herë barriera që përndryshe, kur projekti zhvillohet vetëm brenda mureve të shtetit, vetëm brenda mureve të qeverisë, të bashkisë, apo të dyjave bashkë, duken si të pakapërcyeshme. Pra, na jep mundësinë të mendojmë “out of the box”.

Jam i bindur që do të bëjmë diçka fantastike edhe me Piramidën, bashkërisht. E po ashtu jam i bindur që, nëse sot, falë këtij ndërveprimi të suksesshëm, Tirana është me sa unë kuptoj kryeqyteti i tretë jashtë Armenisë që ka TUMO-n, pas Parisit dhe Berlinit, nuk jemi në shoqëri të keqe në këtë rast, jemi në shoqëri goxha të mirë, atëherë do jetë dhe kryeqyteti i parë që do ketë TUMO 1 dhe TUMO 2.

Më erdhi shumë mirë që njëri prej krijuesve të TUMO-s e tha që nga larg, nuk e di nëse e ka parë fizikisht këtë mjedis, që i pëlqen shumë. Mua më pëlqen dhe më shumë në fakt se është dhe një moment hakmarrjeje për mua ndaj të gjithë atyre që thonin, ç’është kjo hata e madhe që po rindërtohet nga themelet stadiumi “Qemal Stafa”. Edhe ndaj gjithë atyre që thonin që stadiumi po rindërtohet për të bërë shopping e për të bërë tregti. Ndaj gjithë atyre që thonin e ç’nuk thonin dhe që pranonin që nën shkallët e stadiumit të ishin krejtësisht të papërdorshme e madje me impakt ekologjik jo të vogël në zonë, për shkak të acideve që evaporonin duke i kaluar në atmosferë shfrimet e shthurjet e qytetarëve kalimtarë në orët e vona këtej anës. Ndërkohë jo, është një hapësirë fantastike. Unë madje kur hyra, sinqerisht mendova që ishin pasqyra që përsërisin hapësirën më tej e vetëm kur pashë, ndoshta ishte vajza këtu që hyri në pasqyrë dhe thashë ky ose është një truk teknologjik, ose pastaj hapësira është e pafundme. Në fakt hapësira është e pafundme.

Dua sinqerisht t’i falenderoj të gjithë për këtë moment kaq të bukur. U ndjeva pak si në ngërç kur pashë moshën për të hyrë, është nën ose Zaho është nën atë moshën për të hyrë e do duhet të presim dhe pak, por më vjen jashtëzakonisht mirë që 1000 fëmijë do kenë mundësinë të hyjnë në këtë botë magjike dhe të jenë të privilegjuar për të pasur në duart e tyre instrumente që i kanë bashkëmoshatarët e tyre në Berlin dhe në Paris. Historia e shpërndarjes së TUMO-s, – më falni, është edhe Moska, nuk e harrova për arsye gjeostrategjike Michael, ndjesë, kryeqytet fantastik, – është që TUMO nuk shkon kudo si një supermarket që hapet gjithandej për të shitur djathë e për të shitur produkte të konsumit të përditshëm, por është një strategji dhe një vizion.

Më vjen jashtëzakonisht mirë që duke hapur këtë, ne hapim dhe një faqe tjetër në kapitullin për fëmijët, që duam ta shtojmë me faqe të tjera. Duam patjetër që t’u japim fëmijëve më në fund, o Zot sa herë e kujtoj, Kopshtin Zoologjik dhe faktikisht, puna ka qenë e vështirë dhe e komplikuar për Kopshtin Zoologjik, por, më në fund, tani gjërat janë në drejtimin e duhur dhe kantieri aty është në punë. T’u japim fëmijëve një teatër kukullash të denjë dhe një teatër fëmijësh të denjë. T’u japim fëmijëve një qytet fëmijësh në anën e Bulevardit të Ri, sikundër e kemi diskutuar dhe e kemi vendosur bashkë me lali Erin. Kështu të shtrihemi edhe në qytete të tjera, sepse realisht të gjithë ne kemi adresa alternative. Nisemi për në punë, por pas punës kemi mundësi të shkojmë në teatër, kemi mundësi të shkojmë në restorant, të dalim jashtë qytetit me makinë. Ata që janë studentë kanë të njëjtat mundësi, ata që janë të moshuar kanë të njëjtat mundësi, vetëm fëmijët kanë faktikisht punë – shtëpi, shtëpi – punë kryesisht, ose ndonjë dalje të kufizuar. Kështu që duhet ta rrisim këtë dimension për fëmijët. Ky është një gur i jashtëzakonshëm themeli që e ngre stekën shumë lart në fakt, por nuk trembemi nga sfidat dhe jemi të bindur që falë edhe Fondacionit Shqiptaro – Amerikan, falë dhe të tjerëve që me siguri do na bashkohen rrugës, do ia dalim të jemi përsëri së bashku, për të kremtuar të reja për fëmijët.

Faleminderit të gjithëve. Një falënderim shumë të veçantë për njeriun që e transformoi këtë zonë të Tiranës në një vend kaq tërheqës nga jashtë dhe tanimë dhe nga brenda, që e kemi këtu në sallë dhe faleminderit dhe të gjithë atyre që janë rekrutuar me Zoom, një pjesë e stafit, kanë ardhur të kontribuojnë këtu e kanë marrë përsipër këtë sfidë kaq të bukur, kaq të vështirë, por dhe kaq të identifikuar me fjalën e ardhme.