Gati COVID 3 dhe 4, me gjithë pajisjet e nevojshme dhe ekip mjekësor

Spitalet COVID 3 dhe COVID 4 janë gati, të pajisur me çdo mjet të nevojshëm, si dhe me personel mjekësor të trajnuar. 150 shtretër i shtohen me dy spitalet COVID kapaciteteve spitalore për pritjen e pacientëve që do të kenë nevojë për trajtim të kualifikuar në përballimin e COVID-19. Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ishin në ambientet e spitalit COVID 3 që prit të fillojë operimin këtë javë.

“Në kuadër të strategjisë për përballimin e situatës së infektimeve, ne përgatitëm tashmë prej muajsh, dy strukturat COVID 3 dhe COVID 4, të cilat bashkë me dy spitalet e tjera kanë një kapacitet prej 550 shtretërish. Struktura është gati dhe besojmë që në kuadër dhe të fluksit të rritur, në këtë javë do të nisë funksionimi i kësaj strukture. Janë përgatitur tashmë prej javësh mjekët dhe infermierët, të cilat janë trajnuar dhe janë gati për të ofruar shërbim, bashkë me pajisjet respiratore, me monitorë, me gjithë pajisjet e rëndësishme që duhen për të trajtuar pacientët”, – informoi ministrja Manastirliu.

Struktura e spitalit COVID 3 është ngritur në ish godinën e Kirurgjisë, e cila është rehabilituar dhe shtuar në numër shtretërish. Vetë pozicionimi i saj brenda ambienteve të QSUT-së cilësohet nga shefja e Shërbimit Infektiv, doktoresha Najada Çomo si lehtësisht e aksesueshme dhe ofron mundësinë e konsultave me specialistët e QSUT-së. “Duke qenë se kemi numër të shtuar personash të infektuar, sigurisht që kemi numër të shtuar pacientësh, por kemi kapacitete dhe për sa kohë kemi kapacitete të tjera, nuk ka arsye të hapësh një spital të tretë, pa shfrytëzuar në maksimum dy spitalet COVID 1 dhe COVID 2”, – tha Çomo.

Gjithashtu është gati edhe ekipi mjekësor për spitalet COVID 3 dhe COVID 4, mjekë dhe infermierë, të cilët kanë kryer edhe trajnimin disa mujor në spitalin Infektiv.

Spitali COVID 3 fillimisht mendohet të jetë një strukturë mbështetëse e dy spitaleve të tjera,  teksa profesor Arben Gjata thotë se ky spitali është gati për t’u hapur që sot, në rast se do të jetë nevoja. Mjekët pohuan se të gjithë pacientët me COVID në spitalet tona trajtohen sipas protokolleve të njohura e të miratuar ndërkombëtarisht. “Ne kemi gjithçka që thuhet në botë, duke vazhduar dhe me Remdesivir që ka ardhur dhe ka filluar, por për ne është akoma herët për të folur, por në fund të fundit, çfarë është shkruar në protokollet e botës, këtu janë. Janë duke e marrë pacientët, duke u ofruar falas, sikurse janë ofruar të gjithë barnat e tjera që marrin pacientët”, – tha doktoreshë Najada Çomo.

Të gjithë mjekët dhe infermierët që po kontribuojnë në luftën kundër COVID kanë marrë dhe do të vazhdojnë të marrin edhe bonusin mbi pagën, konfirmoi Kryeministri Edi Rama.

Ndërkohë vaksinimi i popullsisë kundër gripit stinor vazhdon, teksa i gjithë trupa e shërbimit mjekësor në vend, duke qenë një grup me risk më të lartë, është vaksinuar tashmë.  “Vaksinimi për gripin, – tha ministrja Manastirliu, – po shkon mirë. Pjesa e parë rreth 70 000 vaksina janë ezauruar. Personali mjekësor e ka bërë tërësisht, sepse ishte grupi i parë i kategorive në risk. Kemi filluar me vaksinimin e pjesës tjetër të popullatës dhe presim në datë 28-29, pjesën tjetër të vaksinave, që të përmbushim 368 mijë vaksinat që kemi porositur”.

Ministrja Manastirliu vërejti se në ndërkohë kemi edhe një rritje të përgjegjshmërisë së qytetarëve në raport me respektimin e masave antiCOVID.  “Qytetarët janë ndërgjegjësuar që është i vetmi mjet i gjithëpranuar që mbron”.