Elbasan, vijon cikli i bashkëbisedimeve të Kryeministrit me qytetarë

Qytetarë të Elbasanit, përfaqësues të fushave të ndryshme profesionale, po ashtu të moshave ndryshme, të rinj e të moshuar, u bënë pjesë e bashkëbisedimit me Kryeministrin Edi Rama mbi tema të ditës dhe problematike të nevojshme për t’u diskutuar dhe dhënë zgjidhje.

“Kjo është një mundësi që reciprokisht i japim njëri-tjetrit për të dëgjuar dhe për të shprehur opinionet, por natyrisht në radhë të parë një mundësi që na jepet mua dhe kolegëve që ndodhemi së bashku për të reaguar drejtëpërsëdrejti për çfarëdo shqetësimi, pyetjeje apo edhe kritike ose ankese që ju mund të keni.” – u shpreh në nisje të takimit Kryeministri Rama, duke ftuar qytetarët që të jenë të hapur dhe të drejtëpërdrejtë në pyetjet e tyre.

Arsimi professional dhe perspektiva e tij në katër vitet që vijnë ishte tema që çeli bashkëbisedimin, rreth së cilës, Kryeministri Rama u shpreh:

“Tema prek një aspekt që për ne, që në krye të herës ka qënë një aspekt shumë i rëndësishëm i gjithë reformës në arsim, rilindja e shkollave profesionale që ju jeni dëshmitarë që ishin katandisur si s’ka më keq, ishin si zgjatime atavike të sistenit nga e shkuara, por nuk kishin asnjë lloj infrastrukture, asnjë lloj vëmendje dhe në të vërtetë shërbenin më shumë si rifuxho për ata që ishin nxnësit më të dobët, ose ata pa ambicie ose le të themi kategoria e nxënesve që shkonte në këto shkolla thjeshtë sa për të vazhduar shkollën. Ne synuam një ndryshim, në radhë të pare, duke iu referuar sistemit gjerman, jo vetëm gjerman, por i referohemi Gjermanisë sepse aty është krijuar një model që e ndjekin pastaj shumë vende të tjera që kanë në themelin e vet ecjen në dy korsi paralele, në shkollë dhe në një sipërmarrje dhe që u jep mundësi reciprokisht individit dhe sipërmarrjes që të veprojnë në interes të përbashkët, pasi sipërmarrja fillon dhe rekruton vajza dhe djem qysh në bankat e shkollës, duke ju krijuar kushtet që ata menjëherë pas shkollës të mund të përfshihen në  tregun e punës. Le të themi që edhe në këtë aspekt si në çdo sektor tjetrë jemi në mes të rrugës. Të dhënat janë pozitive janë inkurajuese, por janë të pamjaftuehme për të thënë që kemi një sistem të arsimit professional që është i organizuar dhe i konsoliduar në çdo hap të vetën. Një e dhënë shumë inkurajuese është që nxënësit që mbarojnë arsimin professional thithen nga tregu i punës shumë më lehtë në një masë të madhe se ata që mbarojnë shkollën e mesme po e po, por edhe se ata që mbarojnë universitetin, kanë një avantazh në rastet kur flitet për ato zanate që kërkohen nga tregu. Ajo që ne jemi në diskutim tani, është krijimi i një tjetër hallke të munguar në sistem, hallkës së kolegjeve profesionale për të patur një tjetër mundësi dhe një tjetër nivel të mundshëm për nxënësit, të cilët mund të rrisin dijet e tyre, mund të rrisin aftësitë e tyre, duke kaluar në kolegjet profesionale që janë si hapsirë e ndërmjetme mes shkollës së mesme dhe fakultetit.

Kjo ka edhe potencialin tjetër dhe adreson një tjetër nevojë që ne kemi që të mprehim profilin e arsimit të lartë duke e dekurajuar tendencën e universiteteve për të shtuar programe, të cilat faktikisht janë programe që në pjesën më të madhe të tyre nuk lidhen me tregun, janë programe që shtohen kryesisht nga instikti i brendshëm i trupave universitare për t’i mbijetuar konkurencës dhe për të mundësuar vazhdimësinë,në vend që të rimendojnë të gjithë mënyrën e funksionimit dhe t’i kthehen atyre drejtimeve që përputhen me tregun.

-Pyetjes që ka të bëjë me ecurinë e proçesit të vaksinimit, si dhe me vaksinimin e personaliteteve mbi 80 vjeç, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj:

“Nuk bëhet fjalë për personalitetet jashtë kësaj kategorie, por bëhet fjalë për të filluar vaksinimin e 80 vjeçarëve, me disa personalitete që janë 80 vjeçarë dhe për të dhënë një mesazh solidariteti me ta, përkujdesje për ta sepse e vë re dhe me një farë sëkëlldie që kur këta njerëz ndahen nga jeta, ka një moment lotderdhjeje dhe një moment rrjedhjeje fjalësh dhe fjalimesh për ta, që nuk ma ha mendja se do të dukeshin më bukur, nëse ne do duhej të përballeshim larg qoftë me humbjen e ndonjërit prej tyre për shkak të mungesës së vaksinës dhe nga ana tjetër, edhe për të shfrytëzuar pozitivisht imazhin dhe influencën e tyre tek njerëzit,  në kushtet kur vaksinimi është një fushatë kudo.

Që do të thotë që vaksinimi ka dhe një aspekt tjetër që është sensibilizimi dhe lehtësimi i barrës psikologjike të atyre që dyshojnë tek vaksina apo mendojnë që vaksina është e dëmshme apo produkt i një konspiracioni botëror për të eliminuar gjindjen njerëzore e të tjera marrëzira si këto.

Pra, fillojmë me kategorinë e 80 vjeçarëve dhe të parët, faktikisht nuk janë as të parët me diferencë, janë të parët në një ditë të pare, ku do të vaksinohen dhe të tjerë që janë njerëz të zakonshëm, por fillon me këta, në mënyrë simbolike, në mënyrë si të thuash shembullore për të vazhduar me të tjerët. Është bërë një reagim shumë i padenjë, shumë mizerabël do të thoja lidhur me këtë nga njerëz që kanë mundësinë të komunikojnë me publikun e që e shpërdorojnë rëndom këtë mundësi, duke u përpjekur që edhe këtë rast ta shfrytëzojnë për të shfryrë mllefin e tyre ndaj qeverisë, ndaj meje, por kjo nuk është e denjë mendoj unë. Edhe sikur të bëhej fjalë për disa njerëz që mbase nuk ishin 80, por ishin 79 apo 78, por njerëz që i kanë dhënë kësaj shoqërie dhe njerëz që kanë kontribuuar, kanë sakrifikuar për të krijuar vlera në këtë shoqëri, unë nuk besoj se do të ishte e denjë të ngrihej e gjithë kjo stuhi në gotë kur bëhet fjalë në fakt për disa dhjetëra persona që në peshën e përgjithshme të volumit të vaksinave që do të bëhen, janë disa pika uji në det.

-Lidhur me vizionin e qeverisë për bujqësinë në katër vitet e ardhshme dhe çfarë do të bëhet më tepër në këtë sektor, Kryeministri Rama u shpreh:

“Në sektorin e bujqësisë si në çdo sektor tjetër ne meritojmë kritika, por besoj se edhe fjalët e mira nuk janë pa vend. Në bujqësi ka patur një hov të rëndësishëm gjithmonë krahasuar me nga jemi nisur dhe jo krahasuar me ku duam të mbërrijmë. Ne jemi në mes, në një process dhe unë dua ta risjell në vëmendje dhe dua të përsëris pa u lodhur një shifër. Sot, Shqipëria punon dyfishin e tokës që punonte para shtatë vjetësh. Para 7 vitesh në Shqipëri punoheshin rreth 125 mijë hektarë tokë. Sot punohen rreth 240 mijë hektarë tokë. Jemi në kushtet e një përmbysje në këtë aspekt, një përmbysje e madhe që ka ardhë në radhë të parë si rezultat i punës së bërë nga qeveria për të çuar ujin në parcela që ishin aty, ishin djerrë prej shumë e shumë vitesh, jo se njerezit nuk donin , por e kishin të pamundur për shkak se të gjitha sistemet e ujitjes ishin jashtë përdorimit, si pasojë e mosmirëmbajtjes për vite e vite të tëra dhe si pasojë e bllokimit të kanaleve ujitëse dhe kulluese, të cilat sollën pasoja katastrofike kur ndodhën përmbytjet. Kjo është dhe një shifër që duhet t’u thotë diçka atyre që sot detyrohen të dëgjojnë disa që sot pretendojnë të ndalojnë trenin e largimeve nga vendi të njerezve dhe do t’i kthejnë të gjithë shqiptarët menjëherë në vend me sjelljen e tyre çudibërëse sespe ishin ata të cilët i lanë djerrë tokat e Shqipërisë, duke mos i dhënë asnjë ndihmë njerezve atje, qoftë dhe për t’u çuar ujin. Ne nuk jemi sot siç ishim disa vite më parë vendi i fundit në rajon për kapacitetin thithës të fondeve për BE, por jemi vendi i parë në rajon, sepse kemi transformuar Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, kemi transformuar qasjen dhe mënyrën e organizmit për të adresuar këtë burim të rëndësishëm financimi dhe kemi transformuar në një mënyrë të konsiderueshme edhe pse jo plotësisht marrëdhnnëien me sipërmarrjen në fshat. Rruga e bujqësisë është një rrugë e vështirë, me sfida dhe shumë komplekse, por tanimë është  një rrugë e hapur.

 

-Pyetjes se një prej përfaqësuesve të shoqërisë civile lidhur me politikat kryesore të qeverisë në vijimësi për zbutjen e problemeve sociale të grave, kryeministri Edi Rama iu përgjigj: “Unë e kam promovuar me bindje të thellë që një shoqëri, një vend një shtet ku ka një mungesë ekuilibri gjinor, është një shoqëri, shtet i dënuar të çalojë rëndë dhe të mos qëndrojë dot në ekuilibër. Nga ana tjetër, ne kemi bërë hapa gjigandë në promovimin dhe integrimin e grave dhe vajzave në përfaqësim duke ju krijuar kushte që, që nga Kuvendi i Shqipërisë e tek Këshillat Bashkiakë, pamja të jetë e ndryshme nga ajo para 10 viteve.

Qeveria jonë është në 5 të parat në klasifikimin e Kombeve të Bashkuara për barazinë gjinore dhe jemi në shoqëri shumë të mirë aty mes atyre 5 vendeve. Janë të rëndësishme, por të pamjaftueshme e bie dakord me ju kur themi që problematikat janë jo të lehta dhe shqetësimet jo të vogla. Ne kemi bërë shumë përpjekje që gjërat të shkojnë në drejtimin e duhur, që nga korniza ligjore për dënimin e dhunës ndaj grave, dhunës në familje e duke vazhduar me iniciativa të ndryshme që nga ndihma ekonomike që i jepet grave si kryefamiljare, edhe kur kryefamiljari është burri e duke vazhduar më tutje me përpjekjet për të mbështetur iniciativa që vijnë nga gratë.

Një nga pikat që besojmë se do sjellë rezultate në këtë drejtim është mbështetja e sipërmarrjes së grave, që nga niveli më bazë. Kemi shumë gra që janë të gatshme të përfshihen në projektet e agroturizmit, të sipërmarrjes që nuk ka nevojë t’i kalojë domosdoshmërisht kufinjtë e shtëpisë apo zone të caktuar komunitare sepse ka potencial të organizohet brenda dhe të prodhojë të mira materiale.

Po punojmë për të hartuar një kornizë të kësaj natyre me akses në disa portofole të shtetit ku një vëmëndje e veçantë u kushtohet pikërisht iniciativave të grave dhe promovimit të kësaj mundësie për gratë. Mendoj që është e pandashme nga fëmijët ky fakt. Rritja dhe zgjerimi i hapësirës dhe i mundësive për aktivitet social komunitar të fëmijëve është një domosdoshmëri e madhe. Shohim që në Shqipëri ka ndryshuar shumë në disa realitete urbane situata me kopshtet, shkollat, këndet e lodrave, por këto nuk mjaftojmë.

Duhet të krijojmë më shumë hapësira dhe më shumë mundësi fëmijëve e t’u krijojmë kushte që socializimi të ketë cilësi më të lartë e kjo të krijojë një bazë më të mirë për të nesërmen. Tema është e jashtëzakonshme dhe komplekse, por nga ana tjetër, progresi i bërë është i mjaftueshëm vetëm për të patur vetëdijën që mund të bëhet më shumë progres. Është temë që nuk stimulohet politikisht, një nga pikat më të thella në aspektin njerëzor.

-Interesimit të një prej mjekëve të pranishëm në bashkëbisedim për mënyrën se si do të realizohet konkretisht vlerësimi i mjekëve sipas performancës, Kryeministri Rama iu përgjigj: “Kjo nuk është një shpikje e imja apo e jona. Është një model i njohur në mbarë botën që bazohet tek autonomia spitalore, tek kthimi i spitaleve në ndërmarrje të cilat funksionojnë në bazën e performancës dhe të kalojnë nga struktura pasive, që bazohen tek një hierarki e parashkruar nga autoritetet shëndetësore, me një nivel pagash i parashkruar dhe i uniformizuar në një tjetër stad, që nga organika e deri tek shpërblimi, organizohen në bazë të një parimi themelor, që është eficenca dhe cilësia e shërbimit.

Ne kemi folur për autonominë spitalore prej kohësh, por është e pakonceptueshme në kushtet kur ske spitale e në vend të tyre ke struktura të degraduara, sic ishte Spitali Rajonal i Elbasanit përpara 7 e kusur vitesh, kur s’ke linja furnizimi, depo barnash etj dhe ke vetëm një trupë mjekësore që punon në kushte të papranueshme dhe gjithë performanca e spitalit lidhet vetëm me sakrificën, përpjekjet, vullnetin e mjekëve dhe infermierëve.

Që të bësh autonominë spitalore, duhet të kalosh fillimisht këtë fazë që ne sot mund të them se jemi në pikën ku mund ta konsiderojmë thuajsë të kaluar. Rindërtimi i infrastrukturës, riorganizimi i brendshëm për të garantuar të gjithë furnizimet e brendshme, dhe pajisja e gjithë sistemit me logjistikën bazë. Tani është momenti për të filluar autonominë spitalore dhe zgjedhja për të mos bërë hapa të gabuar, që mund të kushtonin shumë, është që Spitalin e ri të Fierit ta përdorim si qendër transferimi dijesh dhe transferim pilot të autonomisë spitalore, duke iu referuar një prej modeleve e vendeve që kanë shkëlqyer në shëndetësi dekadën e fundit e kanë kaluar në këto faza, por jo në shekullin e shkuar, por në këtë shekull.

Deri para 15 vjetësh, Turqia e ka patur shëndetësinë në një gjendje të keqe dhe ka pasur problematika shumë të ngjashme me ato të sistemit tonë deri para 7 e kusur vitesh. Kemi avancuar në dy të parat, në rindërtimin e spitaleve dhe organizimin e gjithë linjave të furnizimit, e tani duhet të hedhim këtë hap. Autonomia do vihet në jetë në Spitalin e ri të Fierit, do shihet ecuria, do nxirren të gjitha mësimet nga praktika e punës aty dhe do shtrihet në spitalet e tjera rajonale. Nuk mund të paguhen njësoj dy mjekë që punojnë në një spital dhe njëri bën më shumë operacione, vizitas, orë pune dhe tjetri bën më pak. Pastaj, si organizohet gjithë kjo, kjo është një temë më vete, dhe për të mos humbur në debat teorik, është më e udhës të ndjekim rrugën praktike. Spitali i ri i Fierit do të ketë personel të përzier pikërisht për këtë arsye. Do vijnë nga Turqia 50 persona, që nga menaxheri tek shefat e pavioneve, mjekë, specialistë, kryeinfermierë dhe infermierë të specializuar, dhe 320 persona personel shqiptar që do të përzgjidhen nga stafi turk, mes atyre që sot janë në sistem ose në pritje nga portali e më pas do ketë një periudhë kohe tranzicioni, 1-3 vjet ku menaxhimi shqiptar dhe gjithë drejtimi shqiptar do përgatitet në proces, dhe njëkohësisht do shërbejë si projekt pilot për Ministrinë dhe institucionet shëndetësore për të krijuar eksperiencë.

Mendoj që në mandatin e 3-të e kemi të gjithë kohën e nevojshme për të krijuar një sistem spitalor autonom dhe t’u japim mundësinë mjekëve që duke qenë në shërbim të publikut të mos kenë nevojë të kenë dhe klinika private, gjë që e ngatërron shumë punën dhe të kenë mundësinë që në strukturën shterërore të kryejnë punë përtej orarit, dhe orë të shpërblyera përtej rrogës. Kjo në princip pastaj në tej, është një diskutim më i  detajuar.