Do vazhdojmë të jemi pranë jush

Do vazhdojmë t’ju qëndrojmë pranë, të kujdesemi për ju, ndërkohë që operacioni humanitar në mbështetje të familjeve në nevojë, pensionistëve kryefamiljarë apo të vetmuar vazhdon çdo ditë derë më derë, siguroi Kryeministri Edi Rama gjatē një komunikimi të drejtpërdrejtë me qytetarë, bazuar mbi të dhënat e mbledhura në kanalin e urgjencës në platformën www.shqiperiaqeduam.al.

“Janë kontaktuar 17821 persona dhe vazhdojmë të mbledhim shqetësime të të gjitha llojeve, duke u munduar t’i qëndrojmë pranë gjithkujt prej jush. Më lejoni dhe më ndjeni të përsëris edhe njëherë, që, duhet durim, shumë durim madje, sepse volumi i problemeve për t’u zgjidhur është i jashtëzakonshëm, por numri i forcave që ne kemi në dispozicion nuk është i jashtëzakonshëm, që do të thotë që, pasi ne ju kontaktojmë, ua përcjellim bashkive, bashkitë bëjnë verifikimet e tyre dhe më pas vihet në veprim rrjeti i solidaritetit, i cili po vepron më së miri në të gjithë republikën, por nuk i ka fuqitë e pakufizuara që të mund t’i mbulojë të gjitha menjëherë. Ndërkohë operacioni humanitar vazhdon punën e vet çdo ditë në terren mbi bazën e lisatve të atyre që figurojnë në regjistrat e familjeve me probleme ekonomike, apo për të mbështetur pensionistët kryefamijarë, apo të vetmuar,” theksoi Kryeministri, duke sjellë rastet e dhjetërave që kanë marrë zgjidhje të menjëhershme të shqetësimeve të tyre.

Kryeministri apeloi edhe një herë për respektimin e orarit të lëvizjes. “Për arsyet e lëvizjeve duhet të drejtoheni të gjithë tek faqja e Policisë së Shtetit. Ndërkohë që ne do të vijojmë të ndihmojmë, do të vijojmë të mbështesim, do të vijojmë të kujdesemi me gjithcka kemi mundësi. Mundesitë tona nuk janë të pakufishme. Më vjen mirë që aplikacioni për të marrë leje për të dalë është tanimë plotësisht funksional. Duke qenë i tillë kemi tani detyrimin që të zbatojmë rrepstësisht ligjin, që do të thotë që nesër policia nuk do të vazhdojë më të sensibilizojë, por duhet të ndëshkojë. Prandaj ju lutem shumë, një person i vetem me leje nga shtëpia.“

Lidhur me shqetësimin e ngritur për ndërprerjen e sigurimeve shoqërore të punonjësve nga kompani private për periudhën e qëndrimit në shtëpi, Kryeministri siguroi se kjo “është e ndaluar ligjërisht, nuk është e mundur. Ne po i trajtojmë të gjitha këto se kemi shumë probleme të kësaj natyre.”

Në kontaktin direkt telefonik me një qytetare, lidhur me energjinë elektrike, Kryeministri u shpreh se ”dritat janë mall, kush i konsumon duhet t’i paguajë. Në qoftë se konsumohen dritat dhe nuk paguhen, të gjithë ne pastaj përfundojmë në humnerë, që do të thotë që nuk kemi fuqi për të ngritur kokën dhe jo më për të mbështetur ata që janë në situatë të vështirë më mbrapa, se kjo histori nuk do të mbarojë sot. Është e pamundur që të hyet ne diskutimin për dritat, sepse është një mall që prodhohet. Nuk vjen nga shiu, nuk vjen nga deti, nuk vjen nga dielli dhe si i tillë paguhet. Prandaj, kush e ka më të vështirë t’i kursejë, t’i ndezi sa më pak, t’i përdori sa më pak. Është kohë lufte. Nuk është një kohe paqeje. Vështirësitë janë të mirëkuptueshme të gjitha dhe vërtetë është e dhimbshme dhe për mua kur e them që këto janë pengesat që nuk i kapërcejmë dot. Prandaj më mirëkuptoni që kjo është një kohë lufte dhe ne duhet ta fitojmë patjetër këtë luftë dhe jo pastaj të dalim nga lufta me këtë armik të padukshëm dhe të përfundojmë në një gropë të madhe të gjithë bashkë, më keq dhe më zi sesa në kohëra të tjera që as dua fare t’ua kujtoj dhe t’i kujtoj edhe vetë, sepse nuk do t’i lejojmë të kthehen më.“

Kryeministri informoi se mekanizmi i lëvrimit të fondit në dispozicion për kë është papunë dhe për biznesin e vogël është gati dhe publik.

“Shteti, shtëpia jonë e përbashkët i ka mundësitë e kufizuara. Do të bëjmë çmos. Sot kemi publikuar edhe mekanizmin për lëvrimin e parave që kemi në dispozicion, për ata që janë të papunë, sepse ju është mbyllur biznesi i tyre i vogël. Për ata që janë me ndihmë ekonomike, ndihma e tyre do të dyfishohet dhe pastaj ne do të spostojmë operacionin tonë humanitar drejt pensionistëve dhe familjeve të veçanta, të cilat janë në situatë të vështirë. Ju lutem kini durim. Ne po i telefonojmë të gjithë, po i kontaktojmë bashkitë. Bashkitë bëjnë dhe një verifikim kur ndërhynë, kur është fjala për kërkesa që lidhen me ndihmë direkte ekonomike. Nderkohë që për kërkesa shëndeti, lëvizje, të gjitha menjëherë. Kanali i urgjencës, arsyeja, lini numrin e telefonit dhe janë mbi 200 persona që bëjnë gjithë këto telefonata nga mëngjesi deri në darkë.”