Buxheti 2021, impakti në ekonomi, posaçërisht në shëndetësi

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:

 

I dashur Myslym, të ndoqa me vëmendje.  Faleminderit, se më bëre të buzëqesh se bëre dhe ti një lajthitje të vogël aritmetike si ish kryetari yt, se the: 2.5 + 1.2 = 3.2.  Megjithatë nuk ka problem, është një influencë e virusit demokratik në kalkulimin aritmetik. Nuk ka rëndësi, kjo tregon që mbetesh demokrat, kjo është më e rëndësishmja. Pastaj të tjerat, kush lajthit artimetikisht është demokratikisht i padyshimtë, pra nuk je i Ramës. Kjo është pak, por e sigurt.
Nuk dua të marr shumë kohë nga diskutimet e tjera, dua vetëm të shfrytëzoj këtë pikë të rendit të ditës së Kuvendit për të nënvizuar aspektet e buxhetit 2021 për shëndetësinë, e cila zë një vend të veçantë në buxhet, qoftë për sa i takon fuqizimit të mëtejshëm të sistemit tonë shëndetësor në ecurinë e zbatimit të vizionit tonë, pra masa të reja që do të qëndrojnë aty, përtej vitit të ardhshëm, qoftë për sa i takon masave të drejtpërdrejta që lidhen me mbështetjen e pjesës më vulnerabël të shoqërisë, qytetarët që preken nga virusi COVID-19 dhe ata që hyjnë në kategorinë e familjeve me ndihmë ekonomike.
Së pari, rritja e buxhetit të shëndetësisë në vitin 2021 është dhe rritja më e lartë në të gjitha këto 30 vjet për shëndetësinë në një buxhet të shtetit, plus 23.3%, një rritje e pa ndodhur asnjëherë më pare, që siç e thashë, lidhet qoftë me masa të reja që do të qëndrojnë aty, qoftë edhe me fuqizimin e gjithë vijës mbrojtëse për të dalë kryelartë nga kjo luftë, që ka sprovuar të gjithë botën dhe në zhvillimin e të cilës, – e them me krenari këtë, – Shqipëria nuk ka asgjë mangut nga vendet e tjera, siç nuk ka mangut sfidën, siç nuk ka mangut të gjithë taksiratet e kësaj sfide, nuk ka mangut asgjë në vijën e mbrojtjes.
Parafytyrojeni e le ta parafytyrojnë të gjithë vetëm për një moment, sikur kjo flamë ta kishte gjetur Shqipërinë me spitalet që ne gjetëm kur morëm detyrën.
Ishim në spitalin e Vlorës, në sallën e re të reanimacionit dhe në të gjithë strukturën e vendosur në gatishmëri për eventualitetin e zgjerimit të frontit në vijnë e pare, në rast se do të kemi nevojë që të fusim edhe spitalet rajonale në rrjetin e spitaleve COVID dhe dallimi mes çka kemi sot në spitalin e Vlorës dhe çka kishim dje është absolutisht dhe jo metaforikisht, por realisht, dallimi i ditës me natën.
I tillë është dallimi edhe në QSUT, edhe në spitalin “Shefqet Ndroqi”, edhe në spitalet e tjera rajonale, absolutisht i tillë.
Në spitalin e Vlorës në vitin 2014 kishte vetëm dy, 1 + 1= 2, aparatura të vjetra të kohës së marrëdhënieve shqiptaro-kineze.
Sot, linjat e oksigjenit, aparaturat që suportojnë në kohë reale trajtimin e pacientëve me oksigjen dhe ventilatorët e nevojshëm për intubimin eventual të atyre që janë në gjendje të rëndë, janë në të gjithë sistemin tonë të mbrojtjes kundër COVID-it.
Në masat e qëndrueshme që janë të reja e që do të hyjnë në fuqi në 1 janar  e do të qëndrojnë aty përfundimisht, përveç investimeve që do të vazhdojnë në sektorin e shëndetësisë, është dhe një masë që sot ka një domethënie të veçantë. Rritja 40% e pagës për të gjitha bluzat e bardha, për të gjithë, mjekë dhe infermierë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Ndërkohë që, mbetet përsëri në fuqi edhe bonusi i veçantë për të gjithë mjekët specialistë që pranojnë të shërbejnë në spitale jashtë vendbanimit të tyre, që në tërësinë e vetë e bëjnë pagën e mjekut në Republikën e Shqipërisë, një pagë absolutisht të denjë dhe një pagë konkurruese me pagën që do të merrnin nëse do të shkonin jashtë shtetit, ku përveç pagës, do të paguanin taksa shumë më të larta e do të kishin shpenzime shumë më të mëdha.
Në ndërkohë, në këtë buxhet kemi vazhdimin e një mbështetjeje që faktikisht hyn në fuqi në ditët në vijim për të gjithë të prekurit me COVID që trajtohen në kushte shtëpie.
Dua dhe këtu sot ta përsëris atë që dëgjoj në mënyrë këmbëngulëse dhe të plotësoj kërkesën këmbëngulëse të ekspertëve tanë, të Komitetit teknik, por dhe të mjekëve të tjerë të përfshirë në këtë luftë që t’u them qytetarëve se duhet t’i referohen besnikërisht mjekut të familjes e t’i referohen besnikërisht të gjitha këshillave që marrin nga urgjenca kombëtare e të mos marrin ilaçe dhe të mos shpenzojnë nga buxheti i familjeve të tyre për të bërë larg qoftë dëm në shëndetin e tyre.
Ky është një fenomen që ndodh dhe në vendet e tjera. Është një nga problemet e autoriteteve shëndetësore edhe në një vend të zhvilluar, shumë më të zhvilluar se ne në sistemin shëndetësor si Italia, ku vërehet fenomeni i marrjes së medikamenteve që nuk ndihmojnë dhe që në shumë raste e dëmtojnë të prekurin nga ky virus.
Natyrisht, këtu hyjnë spekulantët, natyrisht këtu hyn ankthi i familjes, natyrisht këtu hyn pasiguria e vetë personit të prekur që nxitet dhe nxiten të bëjnë maksimumin me idenë që ato ilaçe bazë të recetës bazë, bazuar në orientimet bazë të sistemit tonë, nuk mjaftojnë.
Në fakt, është këmbëngulje e përditshme e ekspertëve dhe e komitetit teknik, por dhe e autoriteteve shëndetësore në shumë vende ku vërehet ky fenomen që qytetarët të mos bien pre e ankthit, e pasigurisë dhe e spekulantëve dhe të mos i marrin këshillat me whatsapp nga njëri-tjetri, as thjesht dhe vetëm nga mjekë që nuk janë të specializuar dhe të autorizuar, siç janë mjekët e familjes.
Sidoqoftë thënë kjo, në buxhetin e 2021, ne do të vazhdojmë atë që nis në pak ditë, mbështetjen me financë të recetës bazë dhe futjen në skemë për t’u rimbursuar të të gjithë medikamenteve dhe në funksion të të gjithë të prekurve nga COVID-19.
Paralelisht, ne do të dyfishojmë ndihmën ekonomike. Dyfish ndihmën ekonomike për periudhën kur na duhet të gjithë sëbashku të përballemi me pandeminë dhe jo në funksion të të prekurve në këtë rast, por në funksion të të gjitha familjeve që janë të regjistruara në skemën e ndihmës ekonomike. Janë pjesa më vulnerabël e shoqërisë dhe nëse me të drejtë u kërkojmë që të jenë sa më të kufizuar në aktivitetin e tyre dhe nga ana tjetër është e domosdoshme që të kenë bazën e garancisë për vete dhe për familjen e tyre, kryefamiljarët që rëndom punojnë në të zezë, është e domosdoshme që t’u japim një ndihmë financiare. Kështu, ndihma ekonomike do të jetë e dyfishuar.
Nga ana tjetër, sot qeveria shqiptare, brenda afatit të përcaktuar që skadon mesnatën e ditës së sotme ka paguar edhe kaparin për COVAX, pra ka hyrë në rrjetin e shteteve që kanë prenotuar financiarisht aksesin në vaksinën që pritet të dalë për përdorim masiv në muajt që vijnë. Po ashtu, ne jemi në komunikim të përditshëm me Bashkimin Europian. Unë kam pasur një bisedë të gjatë me Presidenten e Komisionit të premten e shkuar, me disa nga kryeministrat, para se të vija këtu me kancelarin e Austrisë, për të garantuar qartësi dhe siguri për aksesin në vaksinimin e popullsisë, duke pasur parasysh që vaksina do të dale, por sasitë që do të jenë të disponushme, nuk do të jenë menjëherë të atilla që do të mbulojnë gjithë popullsinë e përgjithshme të Europës apo dhe të cilitdo vend dhe të gjitha vendet kanë një strategji.
Ne kemi të njëjtën strategji për të filluar me vaksinimin falas të të gjithë kategorive më të prekshme, më vulnerabël e pastaj për ta shtrirë vaksinimin falas në të gjitha shtesat e popullsisë. Ajo që është e rëndësishme, është që ne sot jemi gati për të patur askes dhe ndërkohë po punojmë si dhe të tjerët për të ndërtuar aleancat e duhura sepse kështu po ndodh faktikisht me vendet e tjera në mënyrë që të mos mbetemi mbrapa të tjerëve.
Këtë po bëjnë të gjithë, këtë po bëjmë edhe ne dhe jam optimist që Bashkimi Europian do të jetë gjithëpërfshirës në strategjinë e vet për të garantuar vaksinimin e popullsive dhe në këtë proces gjithëpërfshirës, edhe rajoni ynë, që do të thotë edhe Shqipëria do të jenë pjesë.
Thënë të gjitha këto, dua ta mbyll duke përsëritur se është shumë e rëndësishme që të gjithë në këto kushte të marrin sa më shumë informacion të bazuar në fakte, sa më shumë informacion nga autoritetet tona shëndetësore, sa më shumë informacion nga gjithë sistemi i mbrojtjes që në themelin e vetë ka mjekun e familjes dhe të përdorin maskën e trurit për ta mbrojtur trurin nga toksinat që përhapen në mënyrë intensive bashkë me desinformimin, lajmet e rreme, fabrikimet, sajesat, shpifjet, sepse fatkeqësisht në këtë luftë, Shqipëria ka një specifikë që zor shumë ta ndeshësh në ndonjë vend tjetër, të paktën  për sa më takon nuk e kam parë në ndonjë vend tjetër. Ka një opozitë, një nga opozitat, ajo jashtëparlamentarja, që për fat të keq edhe një herë në 100 vjet, kur bie një sëmundje mbi tërë botën dhe prek edhe popullin e Shqipërisë, nuk gjen arsye dhe forcë morale për t’u bashkuar me shumicën, jo me qeverinë, me shumicën e për të luajtur një rol njerëzor dhe konstruktiv, jo duke hequr dorë nga kritikat, jo duke hequr dorë nga detyra për ta nxitur qeverinë në drejtimin e duhur, por duke mos bërë krimin e desinformimit dhe të fabrikimit të një realiteti, që nuk është realiteti i sotëm për fat të mirë i spitaleve tona dhe i sistemit tonë të mbrojtjes përballë këtij armiku të padukshëm.
Është vërtetë kriminale t’u thuash qytetarëve se spitalet janë në kolaps sepse mund të ishin, por nuk janë, mund të ishin siç janë në shumë zona mu brenda kufijve të shteteve më të fuqishme të botës, por nuk janë, që të sëmurët dergjen dyshemeve, nuk është e vërtetë.
Mund të kishte ndodhur, siç ka ndodhur në spitale të Lombardisë që është zona e ekselencës së sistemit shëndetësor italian dhe europian ku të sëmurët janë akomoduar vërtetë në krevate nëpër korridore, por nuk ka ndodhur, për fat të mirë kjo nuk ka ndodhur; që mungojnë ilaçe, që nuk është e vërtetë. Protokollet mjekësore që përdoren në spitalet tona COVID janë të njëjtat që përdoren në France, në Itali, në Turqi, në Gjermani, e kështu me radhë dhe deri tek absurditete të tipit që njerëzit në spitalet e Shqipërisë hidhen nga ballkoni se bën zhurmë të padurueshme sistemi i oksigjenimit.
Sot, përsëri kishin shkruar që ka një zhurmë të barabartë me zhurmë ne ngritjes së avionëve kur merr oksigjen. Zhurma karakteristike e procesit të oksigjenimit është e njëjta në të gjithë botën sepse të njëjtat janë dhe aparaturat. Ne nuk kemi aparatura të ndryshme nga të tjerët, kemi të njëjtat aparatura moderne që bëjnë këtë punë.
E të gjitha këto, krijojnë ankth, krijojnë pasiguri, siç krijojnë një ide komplet të shtrembëruar propaganda se vetëm këtu kanë ndodhur vetëvrasje në radhën e personave të prekur nga COVID-i. Nuk është e vërtetë! Të vetëvrarë në spitale ka pasur edhe në vende të tjera dhe në asnjë vend tjetër nuk është hedhur përpjetë asnjë opozitë për t’ia faturuar këto fatkeqësi të mëdha qeverisë, ashtu sikundër, jo larg, por pak ditë më parë, personeli shëndetësor i spitalit të Liege në Belgjikë, edhe pse i prekur me COVID, u urdhërua të vazhdojë punën në spitalin COVID për shkak të shterimit të burimeve njerëzore. Për shkak të shterimit të kapaciteteve të mjekëve dhe infermierëve.
Këtë nuk e them unë, ky lajm u përhap me shpejtësi gjithandej. Dhe të tilla ka nga më të ndryshmet në të gjitha vendet.
Ne nuk bëjmë dallim nga të tjerët, nuk kemi më pak taksirate se të tjerët nga kjo flamë, ama nuk kemi asgjë mangët në raport me tjerët.
Thonë që shkojnë qeveritarët në Turqi. Nuk është e vërtetë. Ne nuk ndalojmë njeri, se në rast se dëshiron dhe beson se mund të marrë një shërbim të mirë të shkojë edhe në Turqi, meqë rruga është e hapur, por asnjë qeveritar nuk ka shkuar në Turqi dhe janë disa që e kanë kaluar apo po e kalojnë COVID-in nga ministrat tanë. Asnjë nuk ka shkuar në Turqi. Për mos të folur e për të mos dhënë shembuj dhe të familjes, për të thënë që nuk shkojmë ne në Turqi dhe për një arsye shumë të thjeshtë, jo se në spitalet e tjera të Europës nuk ka shërbime shumë më të specializuara dhe vetë brenda për brenda Europës, kur vjen puna për sëmundje shumë të veçanta, por sepse në këtë rast, me këtë sëmundje nuk ka asgjë jashtë Shqipërisë që nuk është në Shqipëri. Asgjë fare; as ndonjë protokoll të veçantë mjekësor; as ndonjë aparaturë të veçantë që ne nuk e kemi; as ndonjë staf mjekësh që kanë ndonjë përkushtim që tanët nuk e kanë; as ndonjë komitet shkencor që ka thënë ndonjë gjë, apo ka bërë ndonjë gjë që komiteti ynë shkencor nuk e ka thënë dhe nuk e ka bërë.
Vij përsëri te çështja e testimeve që është bërë një çështje qesharake. Sa e rëndësishme është që të kuptohet mirë për çfarë bëhet fjalë, aq qesharake, duke u kthyer në një top ping-pongu me të cilin lozin të gjitha llojet e pallaskave të këtij vendi, që kanë mundësinë të ulen në një tavolinë me ekran përpara, me kamera përpara për të dalë në ekran.
Sot debati i testimeve është një debat i madh, sepse, qoftë në vendet që kanë bërë numrin më të madh të testimeve, qoftë në vendet që kanë bërë më pak testime, zinxhiri i infeksionit nuk është ndërprerë, nuk rezulton asnjë ndërprerje, pasojat nuk rezultojnë të jenë të ndryshme fare. Përkundrazi, mund të shikosh vende që kanë bërë më shumë testime dhe kanë shumë më tepër infektime dhe shumë më tepër pasoja, vende që kanë bërë më pak testime dhe kanë më pak infektime dhe më pak pasoja. Që nuk do të thotë që ata që kanë më shumë testime, të gjithë janë njësoj, ashtu sikundër nuk do të thotë që ata që kanë bërë më pak testime, të gjithë janë njësoj, por thelbi, të cilin e kanë shpjeguar qysh në krye të herës ekspertët tanë të Komitetit Teknik, është ai që ka qenë dhe ai që mbetet sot. Strategjia e testimit lidhet me identifikimin dhe me gjurmimin. Nuk testohet për të testuar. Shumë njerëzve u them atë që përsëritin ekspertët dhe mbase, duke qenë për shkak të detyrës, kanë më shumë vëmendje kur flas unë dhe jo kur flasin ekspertët. E përsëris edhe unë, në momentin kur ndjen simtoma të dyshimta, por jo shqetësuese në pikën që të shkosh në spital, karantinohu dhe merr këshillat e mjekut të familjes, sillu njësoj sikur ta kesh COVID-in.
Sot, në Lombardi, në rajonin më të pasur të Italisë, me shëndetësinë më ekselentë të Italisë, autoritetet shëndetësore nuk të bëjnë tamponin, në qoftë se nuk ke simtoma të një grade të caktuar, por të thonë qëndro në shtëpi dhe bëj 1,2,3 hapa dhe ndjekin dinamikën. Vajtja me turra-vrap për të bërë tamponin tek privati dhe për të paguar atje para që faktikisht shpenzohen në mënyrë të panevojshme mund të shërbejë për të hequr një merak, por nuk ka lidhje me mënyrën e trajtimit të armikut në këtë luftë. Asnjë shtet sot që flasim, në këtë valë nuk bën më atë që bënte në periudhën e mëparshme dhe shtetet që bënin testime e testime, tani janë frenuar, duke u përpjekur të fokusohen aty ku Shqipëria dhe një serë vendesh tjera si Shqipëria dhe jo vetëm Shqipëria janë fokusuar që në krye të herës. Asnjë arsye tjetër, as se jemi më të zotë, ose as se nuk kemi mundësi, por, sepse, kjo ka qenë strategjia e zgjedhur nga ekspertët tanë. Nëse Komiteti Teknik do të thonte na duhen kaq herë më shumë teste, do blinim teste. Si nuk do t’i blinim!
Do t’i blinim, siç kemi gjetur mundësinë në këto kushte sot të paguajmë naftëtarët, edhe pse nuk ishte një hall i krijuar nga ne, siç kemi gjetur mundësinë sot të dyfishojmë ndihmën ekonomike nga 1 janari i vitit të ardhshëm për të gjitha familjet në nevojë që jetojnë me ndihmë ekonomike, siç kemi gjetur mundësinë për të bërë edhe tjera gjëra që lidhen me këtë luftë. Do ta gjenim mundësinë, absolutisht, për të shtuar testet në dispozicion, por në fund të ditës ka vetëm një mënyrë për të gjykuar situatën, sa të infektuar ke, sa fatalitetet ke dhe sa shtretër ke në dispozicion. Nëse në këto të treja nuk je në gjendje alarmi, domethënë, që po bën punën e duhur. Nëse në këto të tria, Shqipëria nuk është asgjëkund në vendet që kryesojnë listat për të infektuar për milionë banorë, për të vdekur për milionë banorë dhe për kapacitete në shtretër, por është në një pozicion, bashkë me të tjerë, që hynë tek normalja e kësaj kohe anormale, atëherë të gjitha të tjerat janë llafe. Mund të kishte ndodhur, mund të ndodhë në proces, nuk e dimë, prandaj jemi përgatitur edhe për më të keqen që mund të ndodhë, prandaj kemi kapacitete të lira sot që flasim, qoftë në spitalin COVID3 ende, qoftë një spitalin komplet bosh që pret atje për ditë të keqe, por qoftë dhe në spitalet rajonale ku do të shtrihet vija mbrojtëse në rast se numrat do të shkojnë përtej këtyre kapaciteteve. Por sot nuk ka ndodhur.
Sot, edhe në rajonin tonë, ne jemi me parametrat më lehtësues nga pikëpamja psikologjike. Rëndimi injerëzve me këtë tam tam, pa pushim, që i bën jehonë ëndrrës monstruoze të atyre që braktisën Parlamentin me idenë se me rrugë të panjohura antidemokratike do të marrin pushtetin, ëndrrës që COVID-i të bëj tani atë që ata nuk e realizuan dot, që të kalli mes shqiptarëve dëshpërimin ekstrem dhe ta kthejë këtë dëshpërim në një gjenerator lufte kundër qeverisë, është një jehonë që tregon vetëm dembelizmin kronik mendor të atyre që kujtojnë se mund të vijnë në qeveri deri dhe duke përdorur si aleat COVID-in.
Kjo nuk do të ndodhë dhe nuk ka si të ndodhë!
Ne do të bëjmë gjithçka, gjithë së bashku, që deri në fund, – bilanci i kësaj lufte bëhet në fund – të kemi një bilanc për të cilin në fund të jemi të gjithë të lehtësuar me vetveten dhe me njerëzit, që bëmë gjithçka mundëm dhe Shqipëria doli nga kjo luftë me të gjitha pasojat që çdo luftë sjell, por me asnjë pasojë më shumë sesa gjithë të tjerët.