Kapitulli të ri në rrugën e partneritetit strategjik me Turqinë

Kryeministri Edi Rama nisi sot, një vizitë zyrtare në Ankara, Turqi, me ftesë të Presidentit Recep Tayyip Erdoğan. Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar u prit me ceremoni zyrtare në Kompleksin Presidencial nga Presidenti Erdoğan. Gjatë kēsaj vizite u nënshkruan një sërë marrëveshjesh me rëndësi për ngritjen në njē stad të ri të partneritetit strategjik e të bashkëpunimit mes dy vendeve.

 

Deklaratat për median e Presidentit Erdoğan dhe Kryeministrit Rama:

*Presidenti Recep Tayyip Erdoğan: I nderuar Kryeministër, miku im I dashur Edi Rama!
Të nderuar ministra, të dashur anëtarë të delegacionit, të nderuar përfaqësues të medias! Ju përshëndes të gjtihëve me ndjenajt më të përzemërta. Jam shumë i lumtur që pres sot, në Ankara, Kryeministrin Edi Rama dhe delegacionin e tij dhe dua ta shpreh edhe njëherë gëzimin tim për praninë e tij këtu. Dua që dhe njëherë përpara jush t’i uroj Zotit Kryeministër dhe delagacionit ardhjen në Turqi.

Shqipëria është një vend mik, vëlla dhe aleat. Ne jemi dy popuj vëllezër që kemi jetuar sëbashku me shekuj, kemi luftuar sëbashku dhe kemi lënë dhe histori. Pra, jemi dy popuj vëllezër. Gjurmët e historisë sonë të përbashkët shekullore shihen në fusha shumë të gjera si nga letërsia në art, jeta intelektuale dhe arkitekturë. Në ditët e sotme gjenden shumë gjurmë të historisë dhe kulturës sonë të përbashkët në Shqipëri, nga Elbasani në Korçë, nga Shkodra në Vlorë, pra, kemi gjurmë të përbashkëta në të gjithë Shqipërinë. Frymëzuar nga historia jonë e lashtë, ne e konsiderojmë si detyrë ta forcojmë akoma më shumë këtë lidhje.

Në takimin që realizuam me Kryeministrin Rama diskutuam marrëdhëniet tona dypalëshe në mënyrë gjithëpërfshirëse. Me rastin e kësaj vizite, sapo kemi nënshkruar deklaratën e përbashkët politike për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të nivelit të lartë. Kështu, ne i ngritëm marrëdhëniet tona në nivel të partnerit strategjik. Ky hap që hodhëm sot do ta mundësojë zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë në çdo fushë.

Në takimet tona me Kryeministrin Rama, përveç diskutimit të çështjeve bilaterale, diskutuam dhe çështje të tjera rajonale në shumë fusha kulturore, ekonomike dhe çfarë mund të bëjmë ne. Pra, shkëmbyem ide se çfare mund të bëjmë ne në projektet e ardhshme.

Shqipëria sapo ka përfunduar me sukses Presidencën e rradhës së OSBE-së dhe nga 1 janari ka marrë Presidencën e radhës së BISEC-ut. I uroj suksese në këtë detyrë të rëndësishme.

Të nderuar përfaqësues të medias!

Shqipëria përjetoi dy tërmete të mëdha, atë të 21 shtator dhe 26 nëntor të 2019-ës. Këto dy tërmete lanë pas lot, vuajtje dhe dhimbje dhe pas çdo tërmeti, ne vrapuam në ndihmë vëllezërve tanë shqiptarë. Ne mobilizuam të gjtiha mjetet në dispozicion të popullit shqiptar, nga ekipet e kërkim-shpëtimit dhe ekipet e tjera. Të gjitha mundësitë tona i çuam për vëllezërit tanë shqiptarë. Gjtihashtu, ne vendosëm të ndërtojmë 522 njësi banimi për vëllezërit tanë shqiptarë, të cilat u shkatërruan. Ceremonia për hedhjen e themeleve për ndërtimin e këtyre banesave në Shqipëri u mbajt në 21 dhjetor. Shpresojmë që të përfundojmë ndërtimiin nga TOKI në gusht 2020 dhe t’ua dorëzojmë këto banesa vëllezërve tanë në nevojë. Unë besoj se ky do jetë një simbol i ri i fatit të përbashkët, i unitetit të fatës midis Turqisë dhe Shqipërsë. Me këtë rast, i lutem Zotit, edhe njëherë, i kërkoj mëshirë për vëllezërit tanë shqiptarë që humbën jetën në tërmet dhe shpreh ngushëllimet e mia për të afërmit e tyre.

Gjatë takimit tonë me Kryeministrin, ne patëm mundësinë për të vlerësuar këto çështje dhe marrëdhëniet tona ekonomike. Turqia është partneri tregtar i katërt më i madh i Shqipërisë. Duke marrë parasysh dhe shërbimet kontraktuese, ne jemi investitori më i madh i huaj në Shqipëri, me një investim total prej 3,5 miliardë dollarë. Më shumë se 600 kompani turke që operojnë në Shqipëri sigurojnë punësim për më shumë se 15 mijë vëllezër shqiptarë. Në periudhën e ardhshme, ne planifikojmë të rrisim investimet tona në Shqipëri, veçanërisht në fushat e infrastrukturës dhe turizmit. Kështu, ne parashikojmë që bashkëpunimit tonë në ekonomi t’i japim një dimension tjetër.

Ne i kushtojmë një rëndësi të madhe ruajtjes së objekteve historike nga periudha osmane, të cilat pasqyrojnë kulturën tonë të përbashkët. Ne kemi zbatuar mbi 500 projekte restaurimi me vlerë afërsisht 20 milionë euro në Shqipëri përmes TIKA. Ministrat tanë të Kulturës nënshkruan pak më parë protokollin për restaurimin e objektin më të rëndësishëm, i cili është Xhamia e Plumbit në Shkodër, që do të restaurohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Fondacioneve. Shpresoj që ky projekt të fillojë në pranverën e ardhshme.

Të nderuar përfaqësues të medias!

Një nga pikat kryesore të agjendës së takimeve tona ishte bashkëpunimi ynë në luftën kundër terrorizmit dhe në fushat ushtarake dhe atë të mbrojtjes. Ne, bashkë me autoritetet shqiptare dakordohemi se organizata terroriste e FETO-s përbën një kërcënim për të dy vendet. Ne nuk do të lejojmë që FETO të helmojë marrëdhëniet mes dy vendeve. Me këtë rast, Turqia, me në krye fondacionin e Maarif dhe të gjtiha institucionet e tjera do të jenë pranë Shqipërisë. Me këtë rast, fondacioni i Maarif që ka marrë Universitetin e New York në Tiranë, nesër, bashkë me universitetin Teknik të Stambollit, do të vijë edhe rektori këtu e do të hidhen hapat e para të bashkëpunimit mes dy vendeve. Tani janë pothuajse 100 studentë shqiptarë që po studiojnë në Universitetin Teknik të Stambollit. Me këtë hap, Ne, në bashkëpunimin tonë në fushën e arsimit me Shqipërinë kemi hedhur një hap shumë të rëndësishëm.

Me këto mendime dhe me këtë rast dua të uroj që zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më 25 prill të jenë të dobishme për Shqipërinë dhe popullin shqiptar.

Në përfundim të fjalës sime, dua t’i uroj mirëseardhjen dhe njëherë mikut tim, Edi Rama dhe delegacionit të tij. Mirë se erdhët dhe fjala është për Zotin Rama.

Kryeministri Edi Rama: Falenderoj nga zemra Presidentin e Republikës së Turqisë dhe mikun tim për këtë mikëpritje të paharrueshme! Edhe pse nuk është hera e parë që unë e vizitoj Turqinë mike, por në këtë mikëpritje, ne të gjithë sëbashku si delegacion nga Shqipëria, mundëm të konstatojmë shprehjen e një vullneti të fortë, për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve, mes dy shteteve dhe dy qeverive.

I jam mirënjohës Presidentit për bashkëbisedimin kokë më kokë dhe për kohën e çmuar që i dedikoi një tërësie të konsiderueshme çështjesh, por mbi të gjitha, dua ta shpreh këtu, mirënjohjen për të dhe për popullin turk, për reagimin e menjëhershëm në mbështetje të Shqipërisë, duke u gjendur në krah të familjeve të goditura nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit të vitit të shkuar, ndërkohë që një tjetër tërmet e kishte lëkundur Shqipërinë dy muaj më parë. Presidenti Erdoğan ishte i pari, i cili u angazhua publikisht dhe botërisht për t’u përfshirë në procesin e rindërtimit dhe faktikisht, i hapi rrugë një procesi të tërë përfshirjeje të shumë të tjerëve, që bënë të mundur mbledhjen e një kontributi të konsiderueshme për Shqipërinë dhe për familjet e prekura nga tërmeti.

Nga ana tjetër dëshiroj të theksoj faktin se solidariteti i Turqisë mike dhe i Presidentit Erdoğan nuk ka qenë një solidaritet i shprehur vetëm në momentin kur Turqia nuk ka pasur një problem të vetin dhe kur ky problem ka qenë thjesht i yni. Por edhe kur Turqia, njësoj si ne, njësoj si gjithë bota u godit nga koronavirusi, Presidenti dhe Republika e Turqisë i qëndruan pranë Shqipërisë dhe nuk vepruan si disa të tjerë që, njësoj siç u thanë njerëzve të mbyllen në shtëpi, mbyllën në shtëpi dhe shtetet e tyre dhe ndaluan deri dhe kalimin e ndihmave mjekësore për ata që kishin nevojë.

Kjo ka qenë shumë domethënëse për ne, siç është shumë domethënës fakti që edhe sot, një nga temat e diskutimit ka qenë pikërisht bashkëpunimi i afërt mes të dy vendeve edhe pikërisht në këtë rast, mbështetja e Presidentit të Republikës së Turqisë për Shqipërinë në të gjithë procesin e kësaj lufte të madhe me këtë armik të padukshëm, pa u kursyer e pa i mbajtur sytë vetëm nga vetja, brenda kufijve të Turqisë. Besoj që sjellja e Republikës së Turqisë ndaj nesh dhe qasja e Presidentit Erdoğan në situata, kur vende si i yni gjenden në vështirësi, janë mishërimi i asaj fjalës së paharrueshme të Kemal Ataturk, i cili thoshte se njerëzimi është një trup i vetëm dhe çdo komb është një pjesë e këtij mekanizmi.

Edhe pse Turqia u godit nga tërmete, edhe pse Turqia u gjend në domosdoshmërinë për t’u marrë me plagët e veta, për të cilat ia kam shprehur ngushëllimin Presidentit që në krye të herës e dëshiroj ta rishpreh edhe sot, kjo nuk e bëri të ndalet për asnjë sekondë projekti, aspak i vogël, që po realizohet me mbështetjen e tij dhe nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të ministrit, mikut tonë Murat, i cili nuk është se nuk ka këtu shumë e shumë punë të tjera për të bërë e që duhet të merret dhe me rindërtimin këtu pas atyre tërmeteve dhe gjeti kohë të vijë në Tiranë. E jo vetëm të vijë, por të jetë vazhdimisht i pranishëm në të gjitha diskutimet tona.

Solidarizimi dhe reagimi ndaj ngjarjeve të tilla reflektojnë esencën e kësaj marrëdhënieje dhe esencën e humanizmit që është në themel të kësaj marrëdhënieje. E unë jam sot, vërtetë krenar që mu dha mundësia dhe nderi që të nënshkruaj këtu, në emër të Republikës së Shqipërisë, me Presidentin Erdoğan deklaratën për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit të nivelit të lartë, gjë që e ngre partneritetin tonë të shpallur strategjik në stadin e një marrëdhënieje institucionale ndërqeveritare.

Nga ana tjetër, vlera më e madhe që unë shoh tek marrëveshjet e nënshkruara dhe tek kjo vizitë është gatishmëria për të ngritur grupe të përbashkëta e për të punuar nga afër, bashkërisht, për të kapërcyer të gjitha barrierat burokratike dhe të gjitha pengesat e natyrës së vetë marrëdhënieve mes dy shteteve, pra, duke funksionuar si një organizëm që sheh dhe projekton dhe bashkëpunon në të njëjtin drejtim. Pa diskutim që potenciali është shumë i madh. Jam shumë i kënaqur që Presidenti, gjatë bisedës, shprehu gatishmërinë dhe jo vetëm me fjalë, por dhe me ndjekjen direkt në moment të atyre aspekteve të bisedës që lidhen me çka kemi biseduar më parë për disa ndërhyrje të rëndësishme në fushën e turizmit, në fushën e shëndetësisë, në fushën e arsimit. Besoj se është lajm i shkëlqyer për të rinjtë shqiptarë që një universitet, siç është ITU, Universiteti i famshëm Teknologjik i Stambollit, ku ne kemi tanimë një zinxhir brezi të disa vitetve të studentëve shqiptarë që kanë shkëlqyer, do të jetë prezent sëshpejti në Shqipëri.

Ashtu sikundër jam i lumtur që sëshpejti edhe Spitali Rajonal i Fierit do të jetë realitet. Tani, bastet në Turqi dhe në Shqipëri janë të ndaluara me ligj, nuk mund të vinim bast me Presidentin, por basti i Presidentit që Spitali Rajonal i Fierit të jetë gati për tre muaj është një bast shumë i fortë.

Unë do e kisha humbur me qejf këtë bast, por edhe shans për ta fituar do kisha, duke pasur parasysh që edhe turqit, edhe shqiptarët, kur vjen puna tek zbatimi poshtë, duan t’i shtysh vazhdimisht.

Shumë faleminderit Zoti President! Jam vërtetë shumë mirënjohës edhe në emër të të gjithë delegacionit për këtë mikpritje, për këtë kohë të çmuar të vënë në dispozicion dhe sigurisht, edhe për gatishmërinë që të jemi përsëri sëbashku në darkën që bujarisht ju na keni ofruar në këtë mjedis kaq mikpritës e kaq të ngrohtë për të gjithë ne. Dua t’i falënderoj të gjithë anëtarët e përfaqësisë suaj, që nga ministri i Jashtëm, një mik i çmuar dhe i kahershëm i Shqipërisë, tek Murati e tek të tjerët dhe jam i bindur që sot, ne kemi bërë një hap, frutet e të cilit, pasojat e të cilit pozitive, shqiptarët dhe turqit, sëbashku, do t’i shohin në materializimin e këtyre iniciativave.

Shumë faleminderit!

Presidenti i Turqisë, Erdoğan: E falënderoj Zotin Kryeministër, në veçanti e të mos ketë asnjë merak, sepse në Stamboll, në aeroportin e Yeşilköy, në Sancaktepe kemi ndërtuar dy spitale me nga 1008 dhoma që do të thotë se ky spital (i Fierit) është një grimcë për ne, po ta krahasojmë me spitalet e mëdha që kemi ndërtuar. Këtu njëkohësisht duhet të kemi parasysh që do t’i pajisim dhe në aspektin teknik, me makineritë e nevojshme për këtë.
Në spitalet tona, përshembull, në Stamboll ka nga 18 salla operacionesh. Këtu mund të jetë më i ulët, kuptohet, në spitalin e Fierit. Pra, nuk do kemi vëshitrësi këtu dhe Minsitria jonë e Shëndetësisë, për një kohë të shkurtër do dërgojë dhe stafin mjeksor përkatës, duke filuar që nga doktorët, infermierët apo punonjësit e mjekësisë, teknicienët, do t’i dërgojë aty që të trajnojnë dhe stafin shqiptar që të përgatisin dhe ekipin shqiptar që do punojë në spitalin e Fierit. Kështu që si rrjedhojë, brenda një kohe shumë të shkurtër, Shqipëria do ta ketë në gjendje pune e do të ofrojë shërbimet popullit shqiptar.

Për sa i përket projektit në lidhje me Universitetin Teknologjik të Stambollit, siç e dini, është një universitet që është marrë në dorzim nga fondacioni ynë i arsimit. Nuk kemi joint venture, por aty do të kemi themelimin e një Universiteti Teknik të Stambollit në Tiranë dhe bashkë me këtë, me çdo gjë, të pajisur dhe me stafin akademik, kështu që është një arritje e rëndësishmje kjo dhe për Shqipërinë, pasi kemi dhe 100 studentë që vazhdojnë studimet në Unviersiteitn Teknik të Stambollit. Këto janë përfitime dhe për ne, pra, studentët e suksesshëm. Nga ky bashkëpunim dhe Këshilli i Bashkëpunimit në nivel të lartë mes dy vendeve që firmosëm sot, do kemi dhe zbatimin, implementimin.

Unë dhe një herë ju uroj dhe ju përshëndes e qoftë e dobishme për të gjithë ne!

Kryeministri Rama: Zoti President, atëhere deri më datë 7 prill, tre muaj.

Presidenti Erdoğan: Do të mbarojë para zgjedhjeve.

Kryeministri Rama: Nuk kanë rëndësi zgjedhjet, këtu zgjedhjet janë tjetër, tani janë të regjistruar në Republikën e Shqipërisë 4 milionë e 200 mijë veta. Heqim fëmijët që nuk dinë numërim, do kesh 3 milionë e gjysmë supervizorë rregullisht, që do të ndjekin ditë për ditë, deri në 7 prill, “e bëri Erdoğan apo nuk e bëri”.
Tani ke vënë një bast shumë të madh, ishalla po e mban.

*Përkthim simultan