Bledi Çuçi

Ministër i Brendshëm

Z. Bledi Çuçi ka lindur në Tiranë, më 14 nëntor 1970. Ai ka një djalë, Endi Çuçi.
Në vitin 1995, z. Çuçi përfundoi studimet e larta për Drejtësi në Universitetin e Tiranës dhe në vitin 1998, studimet pasuniversitare (Master) për Menaxhim në Universitetin Hasselt në Belgjikë.
Gjatë viteve 1999 – 2005, Z. Çuçi ka shërbyer në disa funksione drejtuese, si kancelar i Gjykatës së Rrethit Tiranë, si dhe këshilltar i Ministrit, drejtor i Drejtorisë Juridike dhe Integrimit dhe Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Pushtetit Vendor. Gjatë kësaj periudhe, z. Çuçi ka shërbyer si: përfaqësues i qeverisë shqiptare në Komitetin për Demokracinë Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, Strasburg, anëtar i Grupit Negociator të Shqipërisë lidhur me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian (BE) dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të Institutit për Trajnimin e Administratës Publike (ITAP) në Shqipëri.
Gjatë viteve 2006 – 2010, z. Çuçi shërbeu si këshilltar dhe ekspert për disa programe ndërkombëtare në Kosovë dhe Shqipëri, programe të mbështetura nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Departamenti për Zhvillim Ndërkombëtar i Mbretërisë së Bashkuar (DflD), Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe BE.
Z. Çuçi u bë pjesë e strukturave drejtuese të Partisë Socialiste (PS) në vitin 2007, kur u zgjodh anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste dhe kryetar i Komisionit të Asamblesë për Çështjet e Pushtetit Vendor.
Gjatë periudhës prill 2010 – nëntor 2011, z. Çuçi ka qenë Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës për Autonominë Vendore në Shqipëri, ndërsa nga dhjetori 2010 deri në gusht 2013, ai ka shërbyer si ekspert ligjor pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore në Shqipëri e, më pas, si Nën-sekretar për Çështjet Zgjedhore në PS.