Milva Ekonomi

Ministër i Bujqesise dhe Zhvillimit Rural

Milva Ekonomi ka lindur në Tiranë në 1962 dhe është nënë e dy vajzave.

Ajo ka një Diplomë Bachelor në Statistikë dhe Ekonomi nga Universiteti i Bujqësisë, dhe një Master në Administrim Biznes (MBA) nga Universiteti i Tiranës. Ka kryer gjithashtu edhe formime të avancuara në fushën e statistikave ekonomike dhe sociale, si dhe të manaxhimit statistikor në Byronë e Statistikave të Punës (SHBA), Eurostat (Luxemburg), Istat (Itali).

Ajo shërbeu si Drejtore e Përgjithshme e Institutit Shqiptar të Statistikave gjatë periudhës 1994-2005, duke kryer një numër detyrash në lidhje me krijimin dhe funksionimin e statistikave zyrtare në vend. Ka kryesuar Komisionin Kombëtar të Nomenklaturave dhe ka qenë për dy mandate anëtare e Byrosë së Konferencës së Staticienëve Europianë KEE/OKB. Në vitin 2006, ajo zgjidhet anëtare e panelit të ekspertëve të projektit “PARIS 21” (OECD), ku punon mbi lidhjen e statistikave zyrtare me të drejtat e njeriut. Punoi në këtë projekt deri në fund të dhjetorit 2007.

Gjatë viteve 2007-2008 shërbeu si eksperte kryesore në Agjencinë Evropiane për Rindërtim (EAR) në Kosovë në projektin “Për Mbështetjen e Sistemit Statistikor dhe Përgatitjen e Regjistrimit të Popullsisë në Kosovë”.

Gjatë viteve 2008-2013  punoi si Këshilltare Afatgjatë për Statistikat, përfaqsuese e (Sida/Suedi) në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, ku dha kontribut në hartimin e legjislacionit statistikor dhe zhvillimin e Programit Zyrtar të Statistikave Kombëtare. Ajo gjithashtu ka punuar në projekte të ndryshme me Agjencitë e OKB dhe organizatave të tjera ndërkombëtare si Eurostat, ILO, UNODC, World Bank, Dfid, dhe FMN. Ajo është anëtare e Institutit Ndërkombëtar të Statistikave (ISI) dhe Shoqatës Staticienëve të Ballkanit. Ajo është një nga themeluesit e “Institutit Agenda”, një qendër kërkimesh ekononomike dhe sociale, e themeluar në qershor të vitit 2006 në Tiranë.

Gjatë këtyre viteve ajo ka kontribuar në lëvizjen e grave në Shqipëri duke qenë aktiviste në shumë iniciativa, por edhe në veprimtarinë e shoqërisë civile.  Ajo ka shërbyer gjithashtu si anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës për periudhën 2000-2011.

Znj. Ekonomi ka qenë gjithashtu një pedagoge e jashtme në Universitetin e Tiranës, Universitetin Bujqësor dhe Universitetin “Zonja e Këshillit të Mirë”.Ajo ka shkruar disa botime në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar në fushën e statistikave, zhvillimit social dhe ekonomik, si dhe të përkatësisë gjinore. Zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe italiane, si dhe njeh gjuhën franceze.

Gjatë 2013-2016 ajo mbajti pozicionin e Zëvendës Ministres së Shëndetësisë, ku udhëhoqi disa nga iniciativat e reformës shëndetësore.

Në Shkurt 2016 ajo u emërua në pozicionin e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Së fundi ajo, shërbeu në Parlamentit Shqiptar si kryetare e komisionit për ekonominë dhe financat.